Një raport konfidencial i Komisionit Evropian, konfirmon për herë të parë se zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian janë vënë në shënjestër të sulmeve të sofistikuara për marrjen e kontrollit të llogarive në Signal dhe WhatsApp.
Sipas dokumentit të përgatitur nga Bordi Ndërinstitucional i Sigurisë Kibernetike, hakerat kanë përdorur teknika të njohura si “spearphishing”, duke dërguar mesazhe të personalizuara për të mashtruar objektivat dhe për të vjedhur të dhëna apo instaluar programe manipuluese.
Sulmet janë shoqëruar edhe me metoda të inxhinierisë sociale, ku mesazhet lidhen me tema të ndjeshme europiane, si sanksionet apo deklaratat zyrtare.
Në 12 muajt e fundit janë identifikuar më shumë se 190 aktorë kërcënues që kanë synuar sistemin europian, ndërsa vetëm në gjysmën e parë të vitit 2026 janë regjistruar tetë incidente.
Ekspertët europianë paralajmërojnë se mbrojtja e informacioneve konfidenciale mbetet një sfidë, për shkak të mungesës së një platforme të përbashkët dhe standardeve të njëjta të sigurisë mes institucioneve të BE.