ZPS kërkon që Thaçit të mos i llogaritet paraburgimi në rastin për pengim të drejtësisë
Prokuroria e Specializuar po kërkon që Hashim Thaçit të mos i llogaritet edhe një herë koha e kaluar në paraburgim, nëse ai dënohet në rastin e veçantë për pengim të drejtësisë.
Në dosjen përfundimtare në çështjen “12”, ZPS argumenton se periudha e paraburgimit duhet t’i kreditohet Thaçit vetëm në çështjen kryesore “06”, në të cilën ai tashmë është dënuar me 25 vjet burgim.
Thaçi ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020 në kuadër të rastit “06”, ndërsa prej nëntorit 2024 ndaj tij është në fuqi edhe një fletarrestim i veçantë për procedurën që lidhet me pretendimet për pengim të drejtësisë.
Sipas Prokurorisë, fakti që Thaçi mbahet njëkohësisht mbi bazën e dy fletarrestimeve nuk do të thotë se e njëjta periudhë paraburgimi mund të zbritet nga dy dënime të ndryshme.
“Situata të tilla nuk janë të pazakonta para tribunaleve të tjera, kur një i akuzuar ngarkohet veçmas për pengimin e procedurës kryesore kundër tij”, thuhet në parashtresën e ZPS-së.
Prokuroria i është referuar edhe praktikës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare në rastin “Bemba et al.”, ku Dhoma e Apelit kishte konstatuar se koha e kaluar në paraburgim mbi bazën e fletarrestimeve në çështje të ndryshme mund të merret parasysh vetëm një herë.
ZPS argumenton se një qasje tjetër do ta dobësonte efektin parandalues të dënimit për pengim të drejtësisë, pasi një i akuzuar do të mund të përfitonte dy herë nga e njëjta periudhë e kaluar në paraburgim.
“Asnjë i akuzuar nuk do të dekurajohej nga përfshirja në veprime penguese, nëse do ta dinte se koha e kaluar në paraburgim do t’i zbritej si nga dënimi në çështjen kryesore, ashtu edhe nga ai për pengim”, ka argumentuar Prokuroria.
Për këtë arsye, ZPS kërkon që e gjithë koha që Thaçi ka kaluar në paraburgim gjatë zhvillimit paralel të dy procedurave të llogaritet vetëm në raport me dënimin në çështjen “06”.
Në rastin “12”, Prokuroria ka kërkuar që Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim. Nëse kjo kërkesë pranohet dhe paraburgimi nuk i kreditohet edhe në këtë çështje, dënimi i ri do të ishte i veçantë nga ai prej 25 vjetësh i shqiptuar në rastin kryesor.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë automatikisht se Thaçi do të vuajë 31 vjet burgim gjithsej. Kohëzgjatja efektive do të varet nga mënyra se si gjykata eventualisht do të urdhërojë ekzekutimin e dënimeve, nëse ai shpallet fajtor edhe në çështjen “12”.
Për të akuzuarit e tjerë në këtë rast, ZPS ka kërkuar nga tre vjet burgim për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, ndërsa për Hajredin Kuçin ka kërkuar nëntë muaj burgim. /Albanianpost.com
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.