Zhegrova drejt largimit nga Juventusi?

Edon Zhegrova raportohet se është afër largimit nga Juventusi me Fiorentina që raportohet si një nga skuadrat më të interesuara për shërbimet e tij.

Sulmuesi anësor i Kosovës, i cili iu bashkua Juventusit nga Lille verën e kaluar, nuk ka arritur të ketë ndikimin e pritur në sezonin e tij të parë në Serie A, duke bërë që e ardhmja e tij në Torino të vihet në dyshim.

Sipas “La Nazione” dhe “CalcioMercato.it”, largimi i 27-vjeçarit nga Juventusi po konsiderohet gjithnjë e më i mundshëm. Fiorentina thuhet se po e ndjek nga afër situatën dhe mund të paraqesë së shpejti një ofertë zyrtare për kartonin e tij.

Juventusi kishte paguar rreth 15 milionë euro për transferimin e Zhegrovës, ndërsa lojtari ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2030 dhe përfiton rreth 2.5 milionë euro neto në sezon. Këto kushte financiare konsiderohen të përballueshme për klubin nga Firence.

Në kampin e Fiorentinës besohet se një marrëveshje e mundshme mund t’i japë Zhegrovës mundësinë për të rifituar formën e tij më të mirë, të cilën e kishte treguar më herët në Ligue 1 me Lille, ku ishte ndër lojtarët më të spikatur të kampionatit.

Ndërkohë, për Juventusin, një shitje e mundshme do të hapte hapësirë për ristrukturimin e repartit ofensiv gjatë verës së ardhshme. /RTKLive

Read Previous

Presidenti i PSG-së nis bisedimet e drejtpërdrejta me talentin e RB Leipzig

Read Next

A janë spitalet gjermane gati për të nxehtin rekord?