Zgjedhjet në veri – Analistët kërkojnë që siguria të jetë prioritet, mos të këtë më shumë policë sesa votues

Gjendja në veri të vendit vlerësohet si e brishtë dhe si e tillë zgjedhjet e parapara të mbahen më 18 dhjetor duhet të shtyhen, vlerësojnë njohës të sigurisë dhe monitorues të zgjedhjeve.

Sipas tyre, në situata të tilla kur gjendja në ato komuna është jashtë kontrollit, mbajtja e zgjedhjeve është praktikisht e pamundur.

Hulumtuesi i lartë në KDI, Eugen Cakolli, thotë se zgjedhjet është absurde të mbahen zgjedhjet në një vend kur ka më shumë forca policore sesa votues.

Ndonëse thotë se grupet kriminale duhet të luftohen, zgjedhjet në atë pjesë duhet të shtyhen.

“Është absolutisht e qartë që zgjedhjet nuk mund të mbahen në një vend ku ka më shumë forca policore sesa potencialisht votues të interesuar. Pavarësisht se kemi të bëjmë me grupe kriminale atje e të cilat janë duke shkaktuar incidente të dhunës dhe normalisht që qasja e Qeverisë do duhej të ishte në luftimin e tyre, sërish kur kemi të bëjmë me një proces kaq të ndjeshëm zgjedhor në veri, ku në radhë të parë nuk kemi kandidatë nga komuniteti serb me përjashtim të dy të tillëve, do të jetë praktikisht tejet i vështirë organizimi i zgjedhjeve, dhe besoj se zgjidhja ideale dhe e vetmja në këtë situatë është që të shtyhen zgjedhjet”, tha Cakolli.

Cakolli nuk e sheh si korrekte thirrjet e KQZ-së që zyrtarët e tyre të jenë në zyre në kohën kur aty hidhen bomba e gjuajtje me armë zjarri.

Sipas Cakollit, institucionet e sigurisë do duhej qëmoti të jepnin një vlerësim të sigurisë, nëse procesi zgjedhor mund të mbahet.

“Në fakt besoj se problemi kryesor në këtë moment është gara ndërmjet institucioneve për të gjetur një fajtor të cilit do t’i atribuoheshin përgjegjësitë për dështimin e këtij procesi zgjedhor. Në njërën anë, KQZ–ja dhe institucionet për administrimin e zgjedhjeve kanë thënë që nëse ka siguri do të organizoheshin zgjedhjet, mirëpo një konstatim i tillë i dhënë nga zyra e KQZ-së në Prishtinë, derisa komisionerët atje ballafaqohen me sulme me armë, nuk është aspak korrekt. Në anën tjetër, institucionet e sigurisë e kam ende të paqartë se pse janë duke u vonuar kaq shumë për të lëshuar vlerësimin e sigurisë, pasi që është mese e qartë që njërën anë nuk mund të mbahen zgjedhjet në këtë situatë dhe në anën tjetër nuk mund të ketë më shumë forca të sigurisë të angazhuar sesa komisionerë e votues e kandidatë në zgjedhje”.

E avokati Musa Damati thotë për Ekonomia Online se gjendja në veri të vendit është e brishtë për shumë arsye. Mungesa e institucioneve sipas Damatit kanë shkaktuar situatë të tillë në atë pjesë.

Damati rekomandon që të bëhet një vlerësim profesional i situatës, dhe konform asaj të veprohet. Ai thotë se mbajtja e zgjedhjeve në atë pjesë, duhet të bëhet vetëm pa u rrezikuar jeta e qytetarëve.

“Veriu i Kosovës është shndërruar në një arenë jashtëzakonisht të ndjeshme politike dhe në aspektin e sigurisë, dhe siç duket po përdoret nga politika e Beogradit në rastet e caktuara edhe nga oponentë edhe brenda Kosovës për çështje të fushatës dhe poenëve politikë, duke e vendosur në këtë mënyrë në rrezik sigurinë e qytetarëve të Kosovës, e që kjo do duhej të shërbente si kauzë dhe si pikë e rendit të ditës, pra mbrojta e jetës dhe sigurisë së qytetarëve në atë pjesë. Gjendja në atë pjesë, patjetër që është e brishtë, me një vakum institucional jashtëzakonisht të madh”, u shpreh Damati për EO.

“Organizimi i zgjedhjeve është një proces demokratik, i cili ndodh në çdo vend demokratik por në situatë të brishtë në të cilën jemi, unë mendoj se duhet të bëhet një vlerësim analitik shumë më profesional nga strukturat e sigurisë dhe në të bazë të saj edhe të veprohet. Pra pa e rrezikuar jetën e qytetarëve të Kosovës”, tha tutje Damati. /EO/

Read Previous

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” organizon tryezën: “A jemi në rrugën e duhur ?”

Read Next

Një vit e qeverisjes së Scholzit – Gjermania ka një rol të ri në Evropë