Zbulohet prapaskena e paraqitjes së dobët të Haalandit ndaj Anglisë

Erling Haaland nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë në çerekfinalen e Kupës së Botës ndaj Anglisë, dhe tashmë është zbuluar arsyeja e paraqitjes së zbehtë të sulmuesit norvegjez.

Sipas ish-sulmuesit të Chelseat, Tony Cascarino, ylli i Norvegjisë zbriti në fushë i prekur nga një virus, pavarësisht se nuk ishte në gjendje optimale fizike.

Cascarino zbuloi se gjatë pushimit të ndeshjes Angli – Norvegji, e fituar nga anglezët me rezultat 2-1 pas vazhdimeve, kishte marrë një mesazh nga një burim i besueshëm, sipas të cilit Haaland kishte luftuar me një virus në ditët para sfidës dhe kishte vendosur të luante gjithsesi.

“Fizikisht nuk dukej mirë. U largua nga loja dhe nuk bëhej fjalë për një lëndim. Besoj se ajo që dëgjova ishte e vërtetë. Ai ishte i sëmurë”, deklaroi Cascarino për TalkSport.

Haaland zhvilloi një nga paraqitjet e tij më të dobëta në këtë Kupë Bote.

Sulmuesi norvegjez pati shumë pak ndikim në lojë, duke u neutralizuar pothuajse plotësisht nga mbrojtësit anglezë Marc Guehi dhe John Stones.

Kujtojmë se katër ditë para përballjes mes Norvegjisë dhe Anglisë ishte raportuar se një virus kishte prekur kampin e kombëtares norvegjeze, megjithëse në atë kohë nuk u bë e ditur se cilët futbollistë ishin prekur.

Tashmë, sipas këtyre raportimeve, rezulton se virusi kishte prekur edhe Haalandin, lojtarin kryesor të Norvegjisë, i cili nuk arriti ta ndihmonte ekipin të siguronte kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.

Sulmuesi 26-vjeçar qëndroi në fushë deri në fund të vazhdimit të parë, përpara se të zëvendësohej nga përzgjedhësi Stale Solbakken. /Telegrafi/

Read Previous

“Volkswagen” shkurton deri në 50 mijë vende pune për të ulur kostot

Read Next

BE emëron gjermanin Dirk Schubel si Përfaqësues të ri Special për Kosovën