Zbulohet kur do të zhvillohet Kupa e Botës për Klube e femrave

Kupa e Botës për Klube për femra do të zhvillohet në muajin janar dhe shkurt të vitit 2026, ka konfirmuar FIFA.

Turneu me 16 ekipe do të mbahet çdo katër vjet dhe do të bjerë gjatë sezonit të ligave evropiane, midis fazave të grupeve të Ligës së Kampionëve për Femra dhe raundeve të eliminimit.

Sezoni i Ligës Kombëtare të Futbollit të Femrave në Amerikë (NWSL) zakonisht fillon në mars.

FIFA njoftoi synimin e saj për të krijuar një garë globale të klubeve të femrave në dhjetor të vitit 2022 dhe një kongres i FIFA-s konfirmoi planet të mërkurën në Bangkok.

Barcelona është kampione aktuale evropiane, NY Gotham FC kampione në fuqi e NWSL dhe skuadra braziliane Corinthians është kampione e Copa Libertadores Femenina.

Kongresi i FIFA-s miratoi gjithashtu një kalendar të ri të ndeshjeve ndërkombëtare nga viti 2026 deri 2029, me qëllim që t’u ofrojë lojtarëve më shumë mundësi për pushim dhe rikuperim duke reduktuar numrin e pushimeve ndërkombëtare nga gjashtë në pesë.

“Kalendari i ndeshjeve ndërkombëtare të femrave dhe ndryshimet e mëvonshme të rregulloreve tona përfaqësojnë një moment historik të rëndësishëm në zotimin tonë për ta çuar lojën e femrave në nivelin tjetër duke rritur konkurrencën në të gjithë botën”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Edicioni i parë i turneut të zgjeruar të Kupës së Botës për Klube për meshkuj – i cili gjithashtu do të organizohet çdo katër vjet – është planifikuar për verën e ardhshme. Kongresi i FIFA-s do të votojë gjithashtu për organizatorin e Kupës së Botës për Femra 2027 me Brazilin kundër një oferte të përbashkët nga Belgjika, Gjermania dhe Holanda. /KosovaPress/

Read Previous

‘CorrWatch’: Procesi i rekrutimit për pozitën e drejtorit të AAC-së karakterizohet me shkelje, të rishqyrtohet ky proces

Read Next

Kurti për zgjedhjet: Nëse opozita është rehat ne përfundojmë mandatin