Yjet e rinj që pritet të tërheqin vëmendjen në Kampionatin Evropian

Kampionati Evropian do të nisë të premten (11 qershor), dhe fokusi do të jetë tek lojtarët e rinj që pritet ta pushtojnë skenën e futbollit. Shumë përfaqësuese kanë përfshirë në listat e tyre përfundimtare futbollistë të rinj që pritet të shpërthejnë. Më poshtë është lista e gjashtë futbollistëve që pritet të tërheqin vëmendjen me paraqitet e tyre gjatë “Euro 2020”.

Phil Foden

Lojtari i turneut kur Anglia e fitoi Kupën e Botës për gjeneratën U17 në Indi në vitin 2017, Phil Foden tani është vendosur ta dëshmojë veten në një garë të plotë ndërkombëtare për herë të parë në moshën 21- vjeçare. Ai në “Euro 2020” do të futet pas një sezoni të shkëlqyeshëm që e pati te Manchester City, ekip në të cilin ishte titullar dhe e fitoi titullin e kampionit në Premier League. Foden është njëri prej lojtarëve të preferuar të trajnerit Pep Guardiola dhe për Cityn realizoi 16 gola në të gjitha garat.

Foden, i cili pëlqen të kalojë kohën e tij të lirë duke peshkuar me babanë e tij, bëri debutimin e tij te Përfaqësuesja e Anglisë në muajin shtator të vitit të kaluar, kurse golat e tij të parë i shënoi kundër Islandës në Ligën e Kombeve gjatë muajit nëntor. Në Evropian, Foden pritet të jetë një prej lojtarëve në të cilët ka besim përzgjedhësi Gareth Southgate.

Pedri

Duke ndjekur gjurmët e lojtarëve si Juan Carlos Valeron, David Silva dhe Pedro Rodriguez para tij, Pedri është ylli i fundit që doli nga Ishujt Kanarie dhe u fut në Përfaqësuesen e Spanjës. Mesfushori 18-vjeçar, i cili vjen nga Tenerife, u bashkua me Barcelonën vitin e kaluar nga Las Palmasi. Duke u zhvilluar, ai e forcoi veten si Andres Iniesta në ekip dhe nuk humbi shumë kohë për t’u stabilizuar në përbërjen e parë të Barcelonës. Edicionin e fundit Pedri ka luajtur të gjitha te Barcelona, me përjashtim të një dueli në La Liga dhe gjithmonë ishte ndër më të vlerësuarit. Ai bëri debutimin e tij te Spanja në ndeshjen eliminatore për botërorin “Katari 2022” kundër Greqisë në muajin mars. Pedri pritet të ketë hapësirë te Spanja për ta dëshmuar veten edhe në Kampionatin Evropian.

Image

Jamal Musiala

Mesfushori 18-vjeçar i Bayern Munichut dhe Gjermanisë ka lindur në Stuttgart, por shumë lehtë ka mundur të jetë pjesë e Përfaqësueses së Anglisë në “Euro 2020”. Babai i tij është britaniko-nigerian dhe ai u transferua në Angli me familjen e tij kur Jamali ishte vetëm shtatë vjeç. Ai ka përfaqësuar si Gjermaninë ashtu edhe Anglinë në nivelin e të rinjve. “Unë kam një zemër për Gjermaninë dhe një për Anglinë”, tha Musiala në fillim të këtij viti. Sidoqoftë, ai u largua nga akademia Chelseat për t’iu bashkuar Bayernit në vitin 2019 dhe në muajin shkurt të këtij viti mori vendim që ta përfaqësojë Gjermaninë në nivelin senior. Ky vendim i tij erdhi pak para se të nënshkruante kontratë të re pesëvjeçare me Bayernin. Menjëherë pas kësaj Musialas iu dha mundësia të debutonte me Përfaqësuesen A të Gjermanisë në ndeshjen kualifikuese të botëriorit “Katari 2022” kundër Islandës.

Image

Matthijs de Ligt

Qendërmbrojtësi Matthijs de Ligt është ende vetëm 21 vjeç, por rëndësia e tij për Holandën nuk mund të nënvlerësohet, veçanërisht me Virgil van Dijkun që nuk do të paraqitet në “Euro 2020” për shkak të lëndimit. Trajneri holandez Frank de Boer ka nevojë për De Ligtin, i cili ishte kapiten i Ajaxit në Ligën e Kampionëve me vetëm 19 vjeç, duke arritur në gjysmëfinale të kësaj gare. Në verën e vitit 2019, De Ligt u transferua te Juventusi në një marrëveshje rekord botëror për një mbrojtës – 75 milionë euro. Një simbol i gjeneratës së re holandeze pasi Holanda nuk u kualifikua si në “Euro 2016” ashtu edhe në Botërorin e vitit 2018, De Ligt bëri debutimin e tij të plotë ndërkombëtar si 17-vjeçar.

Image

Jeremy Doku

Përfaqësuesja e Belgjikës është e mbushur me yje, por mes shqetësimit për aftësimin e Kevin de Bruynen-it dhe formën e Eden Hazardit, Jeremy Doku mund të ketë një rol të dukshëm për skuadrën e Roberto Martinezit. Sulmuesi i krahut, që së fundmi mbushi 19 vjet, depërtoi në Anderlecht dhe debutoi për Belgjikën në shtatorin e kaluar, pak para se Rennesi të paguante 26 milionë euro për transferimin e tij. Doku kishte nevojë për kohë për t’u përshtatur me mjedisin e tij të ri, por e përfundoi sezonin fuqishëm në Francë dhe mund të jetë një kërcënim nga të dy krahët për kundërshtarët në “Euro 2020”.

Image

Joao Felix

Joao Felix, 21 vjeç, u bë një nga pesë lojtarët më të shtrenjtë në histori të futbollit kur ishte ende adoleshent, pasi Atletico Madridi pranoi të paguante 126 milionë për ta transferuar atë nga Benfica në vitin 2019. I aftë të luajë në krah ose në mes të sulmit, Felix depërtoi te Benfica dhe ndihmoi Atleticon ta fitonte titullin e kampionit në sezonin e fundit. Ai është gjithashtu një simbol i brezit të ri portugez që do të mbështesë Cristiano Ronaldon në këtë “Euro 2020”, pasi ekipi i përzgjedhësit Fernando Santos po synon ta mbrojë titullin që e fitoi në vitin 2016 në Francë.

Image

/Koha.net/

Read Previous

Shefi i NATO-s pranon se tërheqja nga Afganistani ka rreziqe

Read Next

Përdorimi i internetit nga celularët shënon rritje, 33% më shumë se vitin e kaluar