Witkoff shpreson për një zgjidhje diplomatike me Iranin

I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka deklaruar se shpreson që të gjendet një “zgjidhje diplomatike” për çështjen iraniane, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara po i japin përparësi diplomacisë dhe jo veprimeve ushtarake.

Deklaratat u bënë mbrëmjen e djeshme gjatë një konference të Këshillit Izraelo-Amerikan në Florida. “Shpresoj që të ketë një zgjidhje diplomatike”, tha Witkoff, sipas një videoje të publikuar nga gazeta izraelite Haaretz.

Në këtë kontekst, ai theksoi se Uashingtoni fokusohet në katër elementë kyç në çështjen iraniane: programin bërthamor, pasurimin e uraniumit, programin e raketave dhe rrjetin e aleatëve rajonalë të Iranit, përfshirë Hezbollahun.

I pyetur për mundësinë e një sulmi ushtarak kundër Iranit, Witkoff përsëriti se shpreson për një zgjidhje diplomatike. Ai vlerësoi gjithashtu guximin e jashtëzakonshëm të popullit iranian, që është ngritur kundër regjimit.

Sipas tij, krizat e brendshme të Iranit, veçanërisht ato ekonomike, mund t’i shtyjnë autoritetet iraniane të bëjnë kompromise. Witkoff konfirmoi gjithashtu se, me iniciativën e presidentit Trump, janë vendosur kontakte të drejtpërdrejta me zyrtarë iranianë, me qëllim parandalimin e ekzekutimeve të protestuesve. /tvklan.al

Read Previous

Red Bull zbulon makinën e sezonit të ri, Verstappen: I befasuar dhe emocionuar nga ndryshimet

Read Next

NATO shqyrton krijimin e “Rojës së Arktikut” për t’i zbutur tensionet SHBA–Danimarkë për Grenlandën