Wikipedia nis fushatat për dokumentimin e monumenteve kulturore dhe trashëgimisë arbëreshe

Wikimedianët e Gjuhës Shqipe kanë nisur më 1 shtator dy iniciativa të rëndësishme për dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore: “Wiki Loves Monuments” dhe “Wiki Loves Arbëreshë”.

“Wiki Loves Monuments”, një prej konkurseve më të mëdha fotografike në botë, zhvillohet edhe këtë vit në Shqipëri dhe Kosovë, nga 1 deri më 30 shtator. Pjesëmarrësit ftohen të fotografojnë monumente të mbrojtura të trashëgimisë kulturore, ndërsa këtë vit vëmendje e veçantë i kushtohet fortifikimeve, si kështjellat, kalatë, fortesat, kullat dhe muret mbrojtëse.

Fotografitë më të mira nga të dyja vendet do të përfaqësojnë Shqipërinë dhe Kosovën në fazën ndërkombëtare të konkursit. Fituesit e garave kombëtare do të shpërblehen me çmime deri në 300 euro.

Paralelisht, nga 1 shtatori deri më 15 tetor 2026, zhvillohet edhe “Wiki Loves Arbëreshë”, një nismë që synon të dokumentojë dhe të pasurojë hapësirën digjitale me elemente të trashëgimisë shpirtërore arbëreshe.

Dokumentimi do të bëhet përmes fotografive, regjistrimeve audio dhe video, si dhe artikujve enciklopedikë. Në kuadër të kësaj nisme do të organizohen aktivitete online dhe fizike, përfshirë një punëtori në Horën e Arbëreshëve, ku pjesëmarrësit do të shkruajnë e përkthejnë artikuj dhe do të ngarkojnë materiale në Wikimedia Commons.

Programi përfshin gjithashtu një javë shkrimi në bashkëpunim me komunitetin e wikimedianëve italianë, trajnime online në shqip dhe italisht, si dhe editathona në Shqipëri dhe Kosovë.

Të dyja nismat synojnë që monumentet, traditat dhe kujtesa kulturore shqiptare të dokumentohen më gjerësisht dhe të jenë të qasshme për publikun në hapësirën digjitale./KultPlus.com

Read Previous

Formacioni më i mirë i javës në Premier Ligë

Read Next

Pas tre dekadash mister, drejtësia jep verdiktin: Shpallet fajtor organizatori i vrasjes së Tupac Shakur