Malaj: Shqipëria, lider në rajon për rritjen dhe qëndrueshmërinë ekonomike
Portierit të Kepit të Gjelbër, Vozinha, i “janë dashur” 40 vjet për të debutuar në Kupën e Botës.
Pritja ia vlejti plotësisht.
Vozinha i bëri plot shtatë pritje të hënën mbrëma, duke e mbajtur përbërjen plot yje të Spanjës në barazim tronditës pa gola.
40-vjeçari ishte kudo, ndërsa përfaqësuesja spanjolle dhe tifozët e saj u frustruan gjithnjë e më shumë, pavarësisht se dominuan në posedim dhe i kishin plot 27 goditje.
As hyrja në pjesën e dytë e superyllit Lamine Yamal nuk mjaftoi për të gjetur kodin për të kaluar mbrojtjen e Kepit të Gjelbër dhe Vozinhan në portë.
Kur u dëgjua fishkëllima e fundit, Vozinha u përkul para portës së tij dhe qau. Më pas u përqafua nga shokët e ekipit. Për Kepin e Gjelbër ishte ndeshja e parë në Kupë të Botës.
Vozinha tha se ishte i pushtuar nga emocionet duke menduar për të dashurit e tij që nuk ishin në gjendje të shihnin performancën më të mirë ndonjëherë: gjyshërit që e rritën dhe nënën e tij.
Gjyshërit i vdiqën disa vjet më parë. Ndërkohë nëna e portierit nuk mundi t’i mblidhte me kohë paratë për të siguruar vizë për të hyrë në SHBA, tha Vozinha.
Paraqitja ishte kulmi i një karrierë që as nuk filloi derisa Vozinha bëri debutimin me ekip profesionist, në moshën 25-vjeçare te Progresso në Angolë. Ai ka luajtur edhe në Moldavi, Qipro, Sllovaki e Portugali. Aktualisht është te Chavesi në kategorinë e dytë portugeze.
Vozinha iu bashkua ekipit përfaqësues në vitin 2012. Herë pas here ka menduar përfundimin e karrierës ndërkombëtare, por “vazhdoi shkaku i kësaj ëndrre”.
“Kam punuar gjithë jetën për këtë, për këtë moment, për këtë ëndërr”, tha Vozinha. “Shumë gjenerata në të kaluarën ëndërruan këtë ditë, por nuk e arritën. Dhe tani ëndrra bëhet realitet”.
Fjala “vozinha” në gjuhën portugeze do të thotë “gjyshe”. Portieri thotë se i ishte vënë nofka nga fëmijët më të mëdhenj që e ngacmonin në fushën e futbollit dhe pastaj qeshnin kur ai shkonte në shtëpi te gjyshërit duke qarë.
Vite më pas ai pranoi nofkën pasi edhe dikush tjetër në klub kishte të njëjtin emër, Josimar.
Steven Moreira tha se atij dhe shokëve të ekipit u pëlqen ta ngacmojnë Vozinhan për moshën e tij. Ai tha se ishte krenar për Vozinhan, duke e quajtur atë “legjendë të madhe” që kishte “lojë të çmendur dhe që tregoi se mosha nuk ka rëndësi”.
Tifozët në gjithë botën e vunë re atë po ashtu.
Numri i ndjekësve të Vozinhas në “Instagram” shpërtheu nga rreth 50 mijë sa i kishte para ndeshjes në më shumë se 5,7 milionë sa arriti shifra të martën në mëngjes.
“Ai jeton dhe merr frymë për Kepin e Gjelbër”, tha shoku i ekipit, Pico Lopes. Ai shtoi se Vozinha di të jetë i rreptë gjatë stërvitjeve.
“Ai është gjithnjë prezent duke na mbajtur të vëmendshëm. Por i tillë është. Ai na shtyn që të jemi më të mirë. Dhe u pa ndaj Spanjës, Vozinha udhëheq me shembullin e tij”./koha.net