Vonesa e miratimit të Kodit Civil, ekspertët: Zvarritja e tij për shqetësim

Kodi Civil, që është një akt juridik më i rëndësishëm pas Kushtetutës,  tash e dy vite po zvarritet herë në Qeveri e herë në Kuvend. Mosvotimi i tij, nga shoqëria civile po konsiderohet shqetësues. Madje ata vlerësojnë se mosmiratimi i tij, mund të jetë pengesë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Tash e dy vite po zvarritet votimi i projektligjit për Kodin Civil. Këtë zvarritje, nga shoqëria civile po e konsiderojnë shqetësuese. Astrit Kolaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë për Radio Kosovën se mosmiratimi i Kodit Civil, shkakton shumë probleme në sistemin e drejtësisë në vend.

“Kodi civil është një akt juridik më i rëndësishëm pas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, prandaj zvarritja dhe mosmiratimi i këtij kodi shkakton shumë problem e sidomos në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, ka deklaruar Kolaj.

E Marigona Shabiu, nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, thotë se nuk janë të kënaqur as me përmbajtjen aktuale të Kodit Civil. Ajo për Radio Kosovën ka thënë se nëse kalon  Kodi Civil më përmbajtjen aktuale dhe nëse miratohet, do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse Kuvendi i Kosovës e kalon një kod civil të tillë me përmbajtjen aktuale, bashkë me avokatin e popullit do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se ne po insistojmë që e drejta në martesë t’u garantohet të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dalim orientimi seksual, pa dallim gjinie dhe pa dallim identiteti gjinor”, tha Shabiu për Radio Kosovë.

Shabiu thotë po ashtu se mosmiratimi i Kodit Civil, mund të pengojë Kosovën të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

“Mospasja e një kodi civil të tillë sigurisht që do të jetë mangësi, dhe ne po besojmë se është edhe pengesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, deklaroi Shabiu.

Projektkodi Civil për herë të fundit ka qenë në Kuvend me 16 mars të viti 2022, por nuk arrit të kalojë. Ai është kundërshtuar nga një pjesë e madhe e deputetëve, për shkak të nenit i cili mendohet se çon drejt martesave të së njëjtës gjini. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, parashikon se “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”. Aktualisht projektligji për Kodin Civil është kthyer në Qeveri. Radio Kosova ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Drejtësisë, për të parë se kur do ta miratojnë në Qeveri, mirëpo ende nuk ka marrë përgjigje. /RTK/

Read Previous

Kusari-Lila: Kjo legjislaturë më e suksesshmja nga të gjitha të mëparshmet

Read Next

U mbajtën garat ndërkombëtare matematikore “KANGAROO”