Virusi i Nilit Perëndimor shënon viktimën e dytë në Lazio

Lazio ka regjistruar viktimën e dytë me virusin e Nilit Perëndimor. Pacienti 77-vjeçar ndërroi jetë në institutin Spallanzani në Romë. Veç virusit, ai vuante nga sëmundje kronike dhe kishte kryer një transplant zemre në vitin 2014, raporton Il Corriere.

Viktima e parë ishte një banore 82-vjeçare e Nerola që ishte shtruar në spital më 14 korrik me temperaturë.

Në Caserta, një 80-vjeçar i shtruar në spital, ndërroi jetë ditën e sotme nga ndërlikimet e infeksionit. Ai kishte sëmundje bashkëshoqëruese dhe të hënën, pasi rezultoi pozitiv ndaj virusit, ndërroi jetë.

Në Lazio, po rritet numri i infeksioneve. 44 raste janë raportuar në rajon, nga të cilat 16 në provincën e Latina.

Në këtë të fundit, bashkitë më të prekura janë Aprilia, Cisterna di Latina, Fondi, Latina, Pontinia, Priverno, Sezze dhe Sabaudia. Në provincën e Romës janë Anzio dhe Nettuno.

Përqendrimi i rasteve në Latina shpjegohet nga karakteristikat e zonës: prania e kanaleve, moçaleve, pellgjeve dhe zonave kënetore ndihmojnë riprodhimin e mushkonjave që tejçojnë virusin e marrë nga zogjtë. Dimri i butë ka përshpejtuar çeljen e larvave, thonë ekspertët.

Virusi i Nilit Perëndimor gjendet te zogjtë, transmetohet nga mushkonjat te njeriu dhe më rrallë, te kafshët.

Read Previous

Notarja e Kosovës e 55-ta prej 56 garueseve në 100 metra shpinë në Botëror

Read Next

Radoniqi fton mërgatën që të regjistrohen për votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025