Veseli: Shqipëria zgjedhje pa u menduar dy herë

Mbrojtësi i kombëtares, Frederik Veseli ka zbuluar prapaskenat e thirrjes në përfaqësuesen kuqezi. Në një intervistë për mediat italiane, futbollisti tashmë pjesë e Karagumruk në Superligën turke ka pranuar se e kishte fare të lehtë të zgjidhte mes Shqipërisë dhe Zvicrës.

Frederik Veseli, futbollist i kombëtares:Ishte një zgjedhje shumë e lehtë. Prindërit e mi janë shqiptarë dhe kur isha pjesë e Manchester United, ekipi u-21 i Zvicrës nuk më thirri. Në atë moment më thirri Shqipëria. Ishte një periudhë shumë e vështirë si për ekipin ashtu edhe për mua. Kur u ktheva në Zvicër për të luajtur rregullisht, Shqipëria më thirri sërish dhe nuk u mendova dy herë.

Veseli komentoi edhe marrëveshjes mes FSHF dhe Federatës Italiane, që i garanton ekipeve të Serie A regjistrimin e një futbollisti me pasaportë shqiptare me kushte të barabarta si shtetasit Europian.

Frederik Veseli, futbollist i kombëtares:Kam folur për këtë me presidentin e Federatës, Armand Duka. Është një marrëveshje shumë pozitive për lojtarët tanë. Më parë ata nuk mund të hynin në futbollin evropian për shkak të kufizimeve, por tani Italia e ka pranuar këtë marrëveshje, duke shpresuar që edhe ligat e tjera ta bëjnë këtë. Janë mjete që u mundësojnë futbollistëve shqiptarë të hyjnë shpejt në ligat kryesore, kur meritojnë të shprehin talentin e tyre.

Frederik Veseli pjesë e kombëtares shqiptare në 42 ndeshje përfshirë edhe atë në Euro2016 ka kontribuar për kuqezinjtë me një asist, ndërsa pret të jetë pjesë e përfaqësueses edhe në Euro2024. /tvklan.al

Read Previous

Rruga ”Migjeni” në gjendje të mjerueshme

Read Next

SHBA dhe Kina, bisedime ushtarake në Hawaii