Vëllai i Liridona Ademajt: Vr*sja ishte e planifikuar dhe u realizua për shtatë minuta

Vëllai i Liridona Ademajt, Leonard Ademaj, ka folur pas seancës së mbajtur sot në rastin ndaj tre të akuzuarve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të akuzuar për vrasjen e motrës së tij.

Ai tha se seanca ishte tejet e rëndë emocionalisht, pasi gjatë saj u shfaqën pamjet e fundit të jetës së Liridonës.

Sipas tij, nga provat e paraqitura u dëshmua qartë se vrasja ishte e planifikuar mirë dhe se e gjithë ngjarja kishte zgjatur vetëm shtatë minuta.

“Sot për ne nuk ishte një ditë e lehtë pasi që i pamë edhe videot e fundit të jetës së motrës sonë. Pra, ajo se çfarë pamë në video sot ishte që tre të akuzuarit e kanë planifikuar mirë vrasjen, pasi që e gjithë ngjarja ka ndodhur vetëm për 7 minuta. Pra nuk ishte një vrasje e pa planifikuar, por ishte e planifikuar mirë nga tre të akuzuarit.

Pra ajo se çfarë pamë sot në këto pamje e qartësojnë mirë se Naimi së bashku me Kushtrimin janë organizatorët e vrasjes, ndërsa vrasësi i motrës sonë është Granit Plava”, deklaroi ai para mediave.

Ai paralajmëroi se familja do t’i drejtohet sërish gjykatës me kërkesë që të lejohet elaborimi i provave, duke vlerësuar se përmes tyre do të dëshmohet edhe më qartë, sipas tij, organizimi profesional i grupit për vrasjen e Liridona Ademajt.

“Ajo se çfarë na brengosi sot ishte moslejimi i elaborimit të provave nga ana jonë. Pra ky elaborim i provave për ne është jetësor sepse e qartëson edhe më mirë rolin kyç të Kushtrim Kokallës, bashkëpunimin së bashku me Naimin dhe rrugëtimin e tyre.

Pra ne do të kërkojmë përsëri nga gjykata që t’i elaborojmë provat sepse është e drejtë jetike, mendoj që me ato prova të cilat ne i kemi dhe që mendojmë që duhet të dalin, qartësohet edhe më mirë grupi i tyre i organizuar në mënyrë profesionale për vrasjen e motrës sonë”, tha Ademaj. /Klankosova.tv

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Vetëm një tifoz në përkrahje të skuadrës 1500 kilometra larg shtëpisë, lojtarët me reagim të veçantë

Read Next

Trump me një tjetër vendim: Largon gati 30 diplomatë karrierë nga postet e ambasadorëve