Vazhdon qarkullimi i parave të falsifikuara në Kosovë

Në 24 orët e fundit, policia ka konfiskuar 1 mijë e 731 euro që dyshohet se janë të falsifikuara.

Rasti i parë ka ndodhur në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. “Ankuesja femër kosovare, menaxhere e bankës ka njoftuar se në bankomatin e tyre janë deponuar 870 € që dyshohet të jenë të falsifikuara”, thekson policia.

Ndërkaq një rast tjetër ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku ankuesja femër kosovare, punëtore e bankës ka njoftuar se në bankomatin e tyre janë deponuar monedha metalike me vlerë rreth 451 € si dhe 2X5 € të letrës të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Tjetër rast ka ndodhur në rrugën “Adem Jashari” në Gjilan, ku ankuesi mashkull kosovar, punëtor i bankës ka njoftuar se në bankomatin e tyre janë deponuar 4 kartëmonedha me vlerë 100 € që dyshohet të jenë te falsifikuara.

Parat në të tri rastet janë konfiskuar dhe rastet po hetohen.

Kosova është përballur me një rritje alarmante të dukurisë së parave të falsifikuara, duke shkaktuar shqetësime të mëdha për autoritetet vendore dhe për sistemin financiar në përgjithësi. Paratë e falsifikuara kanë shkaktuar pasoja të mëdha për ekonominë, sigurinë publike dhe integritetin e sistemit financiar në Kosovë.

Kujtojmë se Banka Qendrore e Kosovës muaj më parë ka njoftuar se është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti kundër ligjor, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale dhe teknike. /RTK/

Read Previous

Ndalimi i artistëve nga Kosova në Shqipëri: Akuza, keqardhje e hetim

Read Next

Gjykata e lartë do të vendosë sot nëse Trump do të kandidojë për president