Vazhdojnë reshjet atmosferike – institucionet e emergjencave në gjendje gatishmërie

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti është njoftuar nga Qendra e Situatave – Këshilli i Sigurisë së Kosovës, se nga reshjet e vazhdueshme atmosferike, në pjesë të caktuara të vendit situata mund të përkeqësohet me mundësi të vërshimeve.

Sipas të dhënave nga Qendra e Situatave, në autostradën Pejë-Prishtinë afër rreth-rrotullimit tek aeroporti, ka filluar të ngrihet niveli i ujit, por megjithatë autostrada është e kalueshme.

Njësitet e policisë janë në vendin e ngjarjes në Kuzmin, ku rruga është e pakalueshme, niveli i ujit është në rritje dhe mund të rrezikohen disa shtëpi.

Në Volljakë te Guri i zi, restorantet janë përmbytur nga uji i Drinit të Bardhë dhe lumi Mirusha, ndërsa në zonën e Malishevës të gjitha rrugët janë të kalueshme, por me vështirësi.

Qendra e Situatave – Këshilli i Sigurisë së Kosovës, bën të ditur se të gjitha institucionet e Kosovës janë duke e përcjellë nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale, Policinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. / Kosova Press

Read Previous

Interi i vendos klauzolë anti-Juventus Lautaros në kontratën e re

Read Next

Këshillat e psikiatrit në luftën kundër depresionit dimëror