Vaksina kineze anti-covid nën lupën e Agjencisë Europiane të Barnave

Vaksina kineze anti-covid është nën lupën e Agjencisë Europiane të Barnave. Komisioni për medikamentet njerëzore ka nisur një vlerësim të produktit të zhvilluar nga Sinovac. Vendimin për shqyrtimin e Coronavac, EMA e ka bazuar në rezultatet paraprake të studimeve laboratorike dhe testet klinike.

“Këto studime tregojnë se vaksina nxit prodhimin e antitrupave që luftojnë Sars-Cov-2, virusin që shkakton COVID-19 dhe mund të ndihmojë në mbrojtjen ndaj sëmundjes”, raporton EMA.

Agjencia Europiane e Barnave do të vlerësojë të dhënat, pasi ato të jenë të disponueshme, për të vendosur nëse benefitet i tejkalojnë rreziqet.

Shqyrtimi lidhur me përshtatjen me standardet e Bashkimit Europian për efektshmërinë, sigurinë dhe cilësinë pritet të mos zgjasë shumë, ndërsa një vendim do të vijë menjëherë pas grumbullimit të provave të mjaftueshme.

“EMA nuk mund të parashikojë kohëzgjatjen e përgjithshme, por vlerësimi i aplikimit aktual duhet të marrë më pak kohë se normalisht, për shkak të punës së bërë gjatë shqyrtimit në përdorim”.

Coronavac, një vaksinë që përdoret gjerësisht edhe në Shqipëri, ka në përbërje virusin që shkakton Covid-19, por në gjendje inaktive, pra të vdekur. Është vërtetuar që nxit mbrojtje ndaj koronavirusit dhe shmang shtrimet në spitale dhe simptomat e rënda.  

Read Previous

I mbijetuari fiton të drejtën të mbajë dhëmbin e peshkaqenit që e sulmoi

Read Next

Kosova, pjesëmarrëse në mesin e 27 Shteteve në ushtrimin ushtarak “Defender Europe 21”