Ushqimi i përgatitur në shtëpi, më i shëndetshëm dhe më ekonomik?

Marrja e ushqimit të përgatitur në shtëpi me vete në shkollë, punë apo gjatë aktiviteteve jashtë shtëpisë është një alternativë më e shëndetshme dhe më ekonomike, ka thënë nutricistja Urata Rexhepi.

Duke folur për mënyrën e ruajtjes dhe transportimit të ushqimit, Rexhepi tha se kutitë metalike dhe ato të përshtatshme për ruajtjen e ushqimit janë ndër opsionet më të mira. Për kutitë plastike, ajo këshilloi që të kontrollohet nëse janë pa BPA, veçanërisht kur përdoren për ushqime të nxehta.

Sipas saj, përgatitja e ushqimit në shtëpi u mundëson njerëzve të kenë më shumë kontroll mbi përbërësit, mënyrën e përgatitjes dhe kushtet e ruajtjes.

“Është ndryshe kur e din që e ke përgatitur vetë, e din pastërtinë dhe krejt rrethanat i ke pas nën kontroll”, u shpreh Rexhepi.

Ajo theksoi se ushqimi i marrë nga shtëpia është edhe më ekonomik, pasi me shumën që mund të shpenzohet për një vakt jashtë, mund të blihen produkte për përgatitjen e disa vakteve në shtëpi.

Nutricistja tha se një vakt i balancuar duhet të përmbajë karbohidrate, proteina, fibra dhe yndyra të shëndetshme.

Si burime të proteinave ajo përmendi mishin e pulës, peshkun, tunën, vezët, qumështin dhe produktet e tjera të qumështit. Ndërsa për karbohidrate rekomandoi produktet integrale, si buka, orizi dhe makaronat integrale, kuskusi dhe bulguri.

Frutat dhe perimet, sipas saj, janë të rëndësishme për shkak të vitaminave, mineraleve dhe antioksidantëve.

“Pra, nëse e shohim një ushqim edhe ka prej secilës pak, atëherë ai është një ushqim nutritiv”, tha Rexhepi.

Për fëmijët që janë më përzgjedhës në ushqim, ajo këshilloi prindërit që të mos e komplikojnë përgatitjen e vakteve, por të fokusohen në ushqimet që fëmijët i pranojnë dhe t’i bëjnë ato sa më të larmishme.

Ndër alternativat që ajo përmendi janë sanduiçët integralë me perime dhe mish pule, makaronat integrale me salcë perimesh, si dhe orizi integral me perime, peshk ose mish pule.

Rexhepi tha se edhe ushqimet që fëmijët i preferojnë, si sanduiçi me krem çokollate, mund të konsumohen në raste të caktuara, por nuk duhet të zëvendësojnë një vakt të plotë apo të bëhen pjesë e përditshme e dietës.

Ajo theksoi se kroasani dhe kafeja nuk përbëjnë një mëngjes të plotë, ndërsa konsumimi i shpeshtë i ushqimeve me shumë sheqer mund të shkaktojë luhatje të energjisë dhe urisë.

Nutricistja u shpreh veçanërisht kritike ndaj konsumimit të pijeve energjike nga fëmijët dhe të rinjtë.

Sipas saj, një mëngjes i varfër ushqyes, i shoqëruar me pije energjike, pije të gazuara, çipsa apo ushqime të tjera të përpunuara, nuk i ofron fëmijëve vlerat ushqyese të nevojshme për rritje dhe zhvillim.

Rexhepi tha se ushqyerja e dobët në moshë të hershme mund të ndikojë në zhvillimin e fëmijës, shëndetin e dhëmbëve dhe kockave, peshën trupore dhe shëndetin kardiovaskular në të ardhmen.

Ajo theksoi gjithashtu se ushqyerja ndikon në përqendrim, energji dhe performancën e fëmijëve në shkollë. /RTKlive

Read Previous

Ksamili shpallet destinacioni bregdetar më i mirë në Evropë

Read Next

​Aksion kundër bixhozit të paligjshëm, konfiskohen mbi 41 mijë euro