Ura e Bratit, plazh mes peizazheve mahnitëse të lumit të Vlorës

Në zemër të luginës së Shushicës, Ura e Bratit (Bratajt) po zbulohet dita-ditës nga vizitorët që zgjedhin një ditë pushimi ndryshe, as në det e as në mal.

Nga rruga e re e Lumit të Vlorës, një aks panoramik që ofron pamje nga pothuajse të gjithë fshatrat që ndodhen përgjatë lumit, zbritja përposhtë kërkon vetëm dhjetë minuta në këmbë dhe ndodhesh në luginën e Shushicës, në zall me gurë të bardhë dhe rrjedhë uji të pastër e herë-herë edhe të vrullshëm.

Ecja përgjatë shtratit të lumit me destinacion Urën e Bratit është shpërblyese, mes ujit të freskët që rrjedh dhe panoramave mahnitëse të maleve që ngrihen gjigante ngado të kthesh kokën.

Lugina e Shushicës rrethohet në perëndim nga vargmali i Çikës dhe në lindje nga vargmali Kudhës-Gribë. Në pjesën më jugore, lugina ngushtohet dhe mbyllet nga Malësia e Lungarës dhe Mali i Çikës, duke krijuar një reliev të thyer dhe mjaft piktoresk ku buron edhe vetë lumi Shushicë. Burimet e lumit pranë fshatit Kuç dhe kanioni janë për t’u rrëfyer në një tjetër aventurë.

Fillimisht ndalojmë në Kotë, qendra administrative e disa fshatrave. Në një dyqan pranë rrugës duam të blejmë ujë dhe përfundojmë duke blerë revani, ëmbëlsirë tipike e zonës me sheqer të djegur përsipër, që duket e parezistueshme. Era e mishit të pjekur të fton të ndërrosh destinacion dhe të ndjekësh makinat që marrin disa qengja në hell për t’i çuar në festën e fshatit Vajzë. I rezistojmë tundimit, blejmë dhe rigon të mbledhur nga malet e nisemi.

Për të zbritur në luginë ka disa pika nga rruga kryesore, për ata që duan të shijojnë edhe ecjen, ndërsa për ata që duan vetëm plazhin tashmë bashkia e Vlorës po investon ndërtimin e shkallëve që lidhin rrugën me urën.

Ndërkohë, ne zgjodhëm ecjen në lumë dhe përgjatë 40 minutave u kuturisëm mes ujërave të freskët, zhavorrit të bardhë, bimësisë në vendet ku lumi është tkurrur, shkëmbinjve me forma të shumëllojshme e gjallesave ujore që kishin gjetur oazet e tyre.

Sapo lumi merr një kthesë të fortë, Ura e Bratit del mbizotëruese mbi luginë, ndërsa poshtë saj lumi është më i gjerë, më i vrullshëm dhe krijon vende ideale për t’u larë e notuar.

Shumë njerëz kishin zgjedhur të kalonin ditën pranë ujërave të Shushicës, në këtë vend të magjishëm mes lumit dhe maleve.

Vendas, të ardhur nga Tirana dhe shumë turistë të huaj shijonin freskinë e lumit tek Ura e Bratit, monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore.

Rreth 48 km në lindje të qytetit të Vlorës, në zemër të luginës së Shushicës, ura besohet se është ndërtuar rreth shekullit XVI (periudha e mesme osmane). Të dhënat e kohës tregojnë se ka shërbyer si nyjë lidhëse e rrugëve të karvaneve që lidhnin fshatrat e Lumit të Vlorës me bregdetin, funksion që e ka edhe sot për ata që preferojnë të rijetojnë historinë duke përshkuar rrugë historike.

Arkitektura e urës është mbresëlënëse, me një hark të lartë ndërtuar në gur, dëshmi e mjeshtërisë për të përballuar prurjet e lumit Shushicë.

Ura e Bratit ose e Bratajt (sipas fshatit ku ndodhet) mban statusin “Monument kulture i kategorisë së parë” që në vitin 1948.

Dikur e panjohur për vizitorët që i drejtoheshin Vlorës për bregdetin, me mbarimin e rrugës së Lumit të Vlorës, pjesa e kësaj ure tashmë ka nisur të frekuentohet për plazh dhe eksplorim.

Përfundimi i rrugës e ka shkurtuar distancën nga Vlora në vetëm 35–40 minuta, për më tepër që tashmë aksi vijon deri në Qeparo, duke krijuar itinerar të plotë ditor për t’u njohur me historinë dhe traditat e disa fshatrave historikë të zonës.

Duke nisur nga Drashovica, përgjatë rrugës mund të vizitohen Lepenica, Vranishti, Tërbaçi, Kuçi e të arrish shumë lehtë në Qeparo.

Kuçi, i pozicionuar në fundin e luginës, është fshati më i madh dhe më i njohur i zonës, me histori luftërash e që ruan me shumë fanatizëm traditat labe.

Fshati Brataj, ku ndodhet ura shekullore, shtrihet në një zonë ku lugina fillon e hapet. Tërbaçi është një fshat me shtëpi të gurta tipike të zonës së Labërisë, i rrethuar nga male të thepisura.

Ndërkaq, pas freskisë së lumit, nis ngjitja për në rrugën kryesore, përmes një shtegu të hapur enkas. Ndërsa ecën mbi gurët e Urës së Bratit, lugina nga të dyja anët ofron pamje të hapura dhe mahnitëse me majat e maleve në largësi dhe ngjyrat e lumit dhe gurit që shkrihen në një nën diell.

Mund të imagjinosh karvanet që kanë kaluar aty ndër shekuj, historitë e njerëzve në kohë të ndryshme e të përjetosh ndjesinë e përkohshmërisë përballë këtyre gurëve që kanë njohur breza me radhë.

Sapo kalon urën nisin disa nivele me shkallë po guri, por jo të vjetra. Janë investimi i ri i bashkisë së Selenicës për ta bërë zonën më të aksesueshme për vizitorët. Punimet nuk kanë përfunduar ende.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka kërkuar që shkallët dhe strukturat ndihmëse të vishen me gurë natyrorë të zonës dhe të integrohen sa më mirë me peizazhin, duke respektuar teknikën e vjetër të kalldrëmit që të mos dëmtohet vizualisht silueta e urës.

Ka shqetësime se ndërhyrja në zonë do të rrezikonte urën pasi do të rriste frekuentimin e zonës, ndërsa shkallët i çojnë direkt vizitorët në urë, çka mund të sillte rrezik për stabilitetin e monumentit mbi 500-vjeçar.

Ndërsa del sërish në rrugë, ndalesa në një prej lokaleve të thjeshta që kanë “mbirë” aty për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve në zonë, është e domosdoshme. Jo vetëm për t’u freskuar, por edhe për të shijuar pamjen nga lart të luginës së Shushicës, si moment memorizimi të një dite të shkëlqyer mes natyrës, historisë dhe traditës./atsh/KultPlus.com

Read Previous

Zelensky: Zgjedhjet në kohë lufte do ta shkatërronin Ukrainën

Read Next

30 vjet pa Dervish Rozhajën, përkujtohet rektori i parë i Universitetit të Prishtinës