Trump: Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të vizitoja Ukrainën kur nuk jam në detyrë

Kandidati republikan presidencial, Donald Trump mendon se nuk është e përshtatshme që ai të vizitojë Ukrainën tani pasi ai nuk mban postin, pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi të vizitonte Kievin.

Zelensky në një intervistë me Axel Springer, i kërkoi Trumpit të vizitojë Ukrainën në mënyrë që të mund të dëgjonte idetë e ish-presidentit të SHBA për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, i cili filloi në shkurt 2022.

Ekipi i Trumpit tha të mërkurën se nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar nga Zelensky me ish-presidentin amerikan, transmeton Telegrafi.

“Nuk ka pasur asnjë kontakt nga Zelensky, kurse ish-presidenti Trump ka thënë publikisht se nuk do të ishte e përshtatshme që ai të shkonte në Ukrainë tani përderisa ai nuk është Komandant i Përgjithshëm i ushtrisë amerikane”, u tha nga ekipi i Trumpit në një email.

Kandidatët presidencialë të SHBA-së shpesh udhëtojnë jashtë vendit për të ‘ndriçuar’ kredencialet e tyre të politikës së jashtme.

Ish-kandidatët republikanë që tani kanë hequr dorë, si ish-zëvendëspresidenti Mike Pence dhe ish-guvernatori i New Jerseyt, Chris Christie, vizituan Ukrainën gjatë fushatës për nominimin republikan.

Gjatë kandidimit të tij të parë presidencial në vitin 2016, Trump vizitoi Meksikën dhe u takua me presidentin e atëhershëm, Enrique Pena Nieto.

Trump dhe republikanët e linjës së ashpër në Kongres kundërshtojnë ndihmën e mëtejshme për Ukrainën, me përjashtim të mundshëm të një kredie. /Telegrafi/

Read Previous

Murati: Miratohet bartja e të hyrave vetanake të komunave në vlerë prej 60 milionë eurove

Read Next

Presidentja Osmani takoi kryesuesin e OSBE-së: Kosova e përkushtuar për foricimin e sundimit të ligjit