Traktati kundër plastikës në ngërç, shtetet e naftës bllokojnë progresin global

Raundi i gjashtë i bisedimeve të OKB-së për një traktat ndërkombëtar që synon t’i japë fund ndotjes nga plastika ka përfunduar pa marrëveshje, duke zhgënjyer vendet që kërkonin kufizime të qarta në prodhimin e plastikës.

Rreth 100 shtete, përfshirë shumë vende të BE-së dhe shtete ishullore, kërkonin vendosjen e kufijve në prodhimin e plastikës.

Ndërkohë, vendet naftëprodhuese, të udhëhequra nga interesa industriale, shtynin për një qasje që fokusohej më shumë në riciklim sesa në ndalim prodhimi.

Është një mundësi historike e humbur, por nuk mund të ndalemi,” u shpreh delegacioni i Kubës, ndërsa Ministrja britanike e Marinës, Emma Hardy, deklaroi: “Jam jashtëzakonisht e zhgënjyer… kjo krizë nuk mund të zgjidhet nga asnjë vend vetëm.”

Negociatat nisën që në vitin 2022 si përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje për ndikimin e plastikës dhe kimikateve që ajo përmban në shëndetin e njeriut dhe mjedis.

Mikroplastikat janë tashmë të pranishme në ujë, tokë, ajër dhe madje edhe në organet e trupit të njeriut.

Kështu që diplomatë nga 184 vende u larguan nga Zvicra pa një marrëveshje përfundimtare dhe pa një rrugë të qartë përpara, pas dështimit të negociatave globale për reduktimin e ndotjes plastike.

Një bllok i vogël, por me ndikim të fuqishëm, i përbërë nga vende prodhuese të naftës dhe gazit të udhëhequra nga Arabia Saudite dhe Rusia, pengoi arritjen e një konsensusi.

Këto vende argumentuan se draftet ishin të njëanshme dhe se shkonin përtej mandatit, për faktin se guxonin të përmendnin kufizimin e vetë prodhimit të plastikës, çështjen më thelbësore të krizës.

Një problem në shkallë globale

Pavarësisht përpjekjeve të më shumë se 100 vendeve, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe Zvicra  për të arritur një marrëveshje globale që do të frenonte ndotjen nga plastika, raundi i fundit i bisedimeve në Gjenevë dështoi.

Qëllimi ishte krijimi i një traktati të detyrueshëm, në stilin e Marrëveshjes së Parisit për klimën, që do të vendoste kufij në prodhimin e plastikës. Por rezistenca e fortë nga një bllok vendesh të fuqishme të naftës, si Arabia Saudite, Rusia dhe SHBA, pengoi çdo progres konkret.

Shifrat janë alarmante: që nga vitet 1950 janë prodhuar mbi 9.2 miliardë ton plastikë, një sasi që i kalon një ton për çdo banor të gjallë të planetit. Sot, prodhohen mbi 460 milionë ton plastikë çdo vit, dhe sipas OECD-së, kjo shifër mund të trefishohet deri më 2060 nëse nuk merren masa urgjente.

Pa një ndërhyrje globale dhe të detyrueshme, bota po rrezikon të zhytet në një krizë plastike me pasoja të pakthyeshme për mjedisin, shëndetin e njeriut dhe biodiversitetin.

Traktati kundër plastikës në ngërç: Shtetet e naftës bllokojnë progresin global

Vendet më të mëdha prodhuese të naftës e shohin plastikën, e cila prodhohet duke përdorur lëndë djegëse fosile, si një pjesë jetësore të ekonomive të tyre të ardhshme, veçanërisht ndërsa bota fillon të largohet nga benzina dhe nafta drejt makinave elektrike.

Grupi, i cili përfshin Arabinë Saudite dhe Rusinë, argumenton se një infrastrukturë më e mirë për mbledhjen dhe riciklimin e mbeturinave është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemin, një pikëpamje që ndahet nga shumë prej vetë prodhuesve.

Për këto vende, ndërsa bota largohet nga karburantet fosile, plastika mbetet një burim fitimprurës dhe strategjik, prandaj ata e konsiderojnë frenimin e prodhimit të saj si një kërcënim ekonomik.

Edhe një herë, një grusht shtetesh penguese kanë rrëmbyer bisedimet për traktatin e plastikës, duke e lënë botën të mbytet në plastikë”, tha Lara Iwanicki nga organizata Oceana në Brazil.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e vendeve mbi 100 shtete kërkuan një traktat të fortë, me kufizime të qarta në prodhimin e plastikës, të ngjashëm me marrëveshjet klimatike.

Por, sërish, interesat ekonomikë të pak vendeve arritën ta mbajnë peng të gjithë procesin.

Si u bllokua traktati global për plastikën: Përplasja mes kufizimit dhe riciklimit

Thelbi i konfliktit për dështimin e negociatave ishte fushëveprimi i marrëveshjes.

184 shtetet pjesëmarrëse u ndanë në dy kampe të qarta:

– Koalicioni i Ambicionit të Lartë: Mbi 100 vende, mes tyre BE dhe shtete në zhvillim, kërkuan një traktat me fuqi ligjore për të kufizuar prodhimin e plastikës “të virgjër” dhe për të kontrolluar kimikatet toksike. Ata besojnë se kriza plastike mund të zgjidhet vetëm duke mbyllur rubinetin e prodhimit.

– Blloku i Petro-shteteve, i udhëhequr nga Arabia Saudite, Rusia, Kuvajti dhe Irani, kundërshtoi çdo përmendje të kufizimit të prodhimit. Për ta, plastika është një treg jetik për mbijetesën e industrisë së tyre të naftës dhe gazit. Ata pranuan vetëm një traktat që fokusohet në “rrjedhën e poshtme”, si riciklimi apo menaxhimi i mbeturinave.

Edhe pse në pakicë, blloku i shteteve të naftës arriti të bllokonte negociatat për traktatin global kundër ndotjes nga plastika, falë rregullit të konsensusit që udhëhoqi procesin.

Në këtë format, çdo vend kishte fuqi vetoje, një pengesë e mjaftueshme për të ndalur çdo draft që parashikonte kufizime në prodhimin e plastikës.

Dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Arabia Saudite, Rusia dhe aleatët e tyre refuzuan të bien dakord për çdo propozim që synonte kufizimin e burimit të ndotjes.

Pas përfundimit pa rezultat, palët ranë dakord vetëm për të rinisur bisedimet në një të ardhme të pacaktuar, duke lënë zgjidhjen e krizës së plastikës pezull.

Shumë grupe mjedisore, duke reaguar ndaj dështimit të bisedimeve, kritikuan atë që e konsiderojnë si përparësi të fitimeve nga shtetet e naftës përpara shëndetit të planetit. /rtsh.al/

Read Previous

Wesley Clark: Putini dëshiron të gjithë Ukrainën, do hyjë edhe në vendet Baltike

Read Next

Policia e Kosovës jep detaje për aksidentin me fatalitet në Dollc të Klinës