Avokati i Popullit kundërshton kthimin retroaktiv të pagave pas uljes së koeficienteve
Me rekomandim të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, në të gjitha xhamitë e Kosovës gjatë hytbes së xhumasë është bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.
Në mesazhin e përcjellë gjatë hytbes, u bë thirrje për pjesëmarrje në këtë organizim, ndërsa Myftiu Tërnava ka shprehur mbështetjen e tij për nismën.
Sipas mesazhit të hytbes, marshi është cilësuar si një tubim qytetar në mbështetje të lirisë, drejtësisë, dinjitetit dhe kujtesës kombëtare, si dhe në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së.
“Ky është një tubim qytetar në mbështetje të lirisë, drejtësisë, dinjitetit dhe kujtesës sonë kombëtare, si dhe në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së. Le të jemi të bashkuar, të qetë dhe dinjitozë. Le ta dëshmojmë se nuk harrojmë sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës dhe se kërkesa jonë është drejtësia dhe trajtimi i drejtë”, thuhet në mesazhin e hytbes.
Marshi do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë dhe organizohet në shenjë solidariteti me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Ditë më parë, Myftiu Naim ef. Tërnava kishte pritur në takim përfaqësues të organizatës “Liria ka emër”, të kryesuar nga Eliza Hoxha. Gjatë këtij takimi, Tërnava kishte shprehur përkrahjen e tij për organizimin e marshit.