Trajneri i Irlandës: Kosova ka qenë mbresëlënëse në ndeshjet e fundit

Pas hedhjes së shortit të Ligës së Kombeve në Bruksel, përzgjedhësi i Republikës së Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka komentuar Grupin B3, ku përveç skuadrës së tij bëjnë pjesë edhe Kosova, Austria dhe Izraeli.

Trajneri islandez e ka cilësuar grupin si shumë të fortë dhe sfidues për të gjitha kombëtaret pjesëmarrëse, duke veçuar në mënyrë të posaçme formën e fundit të Kosovës.

Ai deklaroi se nuk ishte në dijeni të ecurisë pozitive të Kosovës, duke theksuar se nga 15 ndeshjet e fundit ka pësuar vetëm dy humbje, ka dy barazime dhe 11 fitore. Sipas tij, fakti që të dyja përfaqësueset janë në play-off të Botërorit e bën Kosovën një kundërshtar të fortë.

“Është grup interesant. Do të jetë vështirë për ne, kemi kundërshtarë të fortë. Dhe madje Kosova, që ishte me renditjen më të ulët në grupin tonë, ka pasur me të vërtetë ecuri impresive nga 15 ndeshjet e fundit, me dy humbje, dy barazime dhe 11 fitore”, ka thënë Hallgrimsson.

“Pra, me të vërtetë është një ecuri impresive”, ka shtuar ai.

Hallgrímsson shtoi se edhe Austria dhe Izraeli janë skuadra të vështira, duke paralajmëruar një grup mjaft konkurrues.

Analiza e përzgjedhësit irlandez tregon se Kosova nuk shihet më si një kundërshtar i lehtë në skenën ndërkombëtare. Edhe pse renditet më poshtë në klasifikimin FIFA krahasuar me Austrinë dhe Irlandën, forma e fundit e “Dardanëve” ka tërhequr vëmendjen e të gjitha skuadrave në grup.

Deklaratat e Hallgrimssonit konfirmojnë se Kosova do të hyjë në këtë cikël të Ligës së Kombeve me respektin e fituar përmes rezultateve të fundit. /GazetaSinjali/

Read Previous

SHBA-ja dërgon aeroplanmbajtësen e dytë në Lindjen e Mesme mes tensioneve me Iranin

Read Next

Trump: Do të jetë “traumatike” për Iranin nëse nuk arrihet marrëveshja bërthamore