Toksikologjia jashtë funksionit që prej zhdukjes së provave të rastit Dehari

Laboratori i Toksikologjisë prej disa kohësh është jashtë funksionit. Kështu, shumë prova që do të duhej të trajtoheshin në Prishtinë, po dërgohen jashtë vendit. Televizioni Dukagjini ka mësuar se Laboratori është jashtë funksionit që prej zhdukjes së disa mostrave të rastit Dehari, përderisa situatën e ka përkeqësuar edhe më shumë zjarri i cili kaploi objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore nëntorin e kaluar.

Zjarri që kaploi Institutin e Mjekësisë Ligjore, nëntorin e kaluar, shkaktoi shumë dëme. Mes tyre, dëmtoi edhe laboratorin e Toksikologjisë.

Laboratori trajton kryesisht prova të cilat kanë të bëjnë me procese gjyqësore. Tashmë, të gjitha provat që trajtohen nga ky laborator, janë duke u dërguar jashtë vendit.

Në mesin e tyre, janë edhe disa prova të cilat ndërlidhen me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Mosfunksionalizimi i laboratorit, avokati Florim Shefqeti tregon se po shkakton vonesa në procese gjyqësore.

“Këto vonesa kanë shkaktuar vonesa edhe në trajtimin e rasteve në kuptimin e efikasitetit të procedurave. Ky fenomen, përveç i këtij laboratori shfaqet edhe në aspekte të ekspertizave të tjera, konkretisht ka qenë aktuale edhe mungesa e shtretërve në institutin e psikiatrisë forenzike, por edhe të ekspertizave të tjera të cilat realisht vonohen për shkak të mungesës së kuadrove të mjaftueshme ose të pajisjeve të mjaftueshme”, ka deklaruar Florim Shefqeti – Avokat.

Televizioni Dukagjini mëson se laboratori kishte probleme në funksionim, prej kohës kur u zhdukën disa prej provave në rastin e Astrit Deharit.

E në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, akoma nuk ka nisur renovimi. Prandaj, edhe rifunksionalizimi i laboratorit, duket i largët.

“Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi autoritetin shtetëror, shteti mbahet përgjegjës, jo në këtë rast drejtpërdrejt Instituti i Mjekësisë Ligjore, mirëpo paditet shteti për shkak se nuk ka arritur ta organizoj një gjykim të drejtë. Çdo vonesë që mbartet në përgjegjësi të shtetit dhe që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, sikur kjo në realizimin dhe vlerësimin e ekspertizave të nevojshme për një proces gjyqësor qoftë penal apo tjera, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit dhe kjo sigurisht ka të bëjë me gjykimin e drejtë që është neni 5 dhe 6 i konventës evropiane”, ka theksuar Hilmi Jashari – Ish-Avokat i Popullit.

Ish-avokati i popullit, Hilmi Jashari, tregon se dërgimi i provave për ekzaminim në institute jashtë vendit, mund të shkaktoj probleme të reja.

“Sepse përgjegjësinë në këtë situatë do ta kishte bartë Instituti i Mjekësisë Ligjore, pavarësisht se çka do të kishte ndodhur, edhe nëse kontestohen ato vlerësime apo analiza. Mirëpo tani kur të kesh raporte kontraktuale me institute të tjera është e vështirë me e futë në përgjegjësi ligjore, për ta mbajtur përgjegjës dhe llogaridhënës në rast se ato kanë dështu, i kanë manipulu, keqpërdor ose është abuzu në çfarëdo forme”, ka shtuar Hilmi Jashari – Ish-Avokat i Popullit.

As nga Ministria e Drejtësisë e as nga Instituti I Mjekësisë ligjore  nuk i janë përgjigjur televizionit Dukagjini gjatë javës, në lidhje me arsyet e mosfunksionalizimit të laboratorit Toksikologjik./Indeksonline.net/

Read Previous

Parlamenti hungarez sot do të votojë për pranimin e Suedisë në NATO

Read Next

Arrestohen 4 persona, iu konfiskohen armë të ndryshme