The Guardian: CIA dhe MI6 paralajmëruan pushtimin rus, por nuk u besuan nga Evropa dhe Kievi

Agjencitë e Inteligjencës së SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe kishin parashikuar me muaj përpara pushtimin rus të Ukrainës, por paralajmërimet e tyre nuk u morën seriozisht nga shumë kryeqytete evropiane dhe as nga vetë Kievi, raporton The Guardian.

Sipas raportimit, që nga fundi i vitit 2021, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dhe Shërbimet e Inteligjencës Sekrete (MI6) kishin identifikuar grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën përmes imazheve satelitore, si dhe kishin interceptuar komunikime ushtarake që sinjalizonin një ofensivë të afërt.

Megjithatë, në kryeqytete si Parisi, Berlini dhe madje edhe në Kiev, shumë zyrtarë besonin se përqendrimi i forcave ruse ishte një manovër presioni dhe jo përgatitje për pushtim të plotë.

Një pjesë e shërbimeve evropiane të inteligjencës mbështeteshin në bindjen se presidenti rus Vladimir Putin ishte një aktor racional dhe se nuk do të ndërmerrte një hap kaq të rrezikshëm.

Paralajmërimi për sulmin nga disa drejtime

Në gjysmën e parë të janarit 2022, Inteligjenca amerikane thuhet se siguroi informacione më të detajuara mbi planin e sulmit: forcat ruse do të hynin në Ukrainë nga disa drejtime, përfshirë nga Bjellorusia, me një operacion ajror në Hostomel pranë Kievit për të marrë kontrollin e kryeqytetit.

Sipas raportit, ekzistonte edhe një plan për atentat ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Drejtori i CIA-s udhëtoi urgjentisht drejt Kievit për të përcjellë informacionin, por Zelensky, sipas burimeve të cituara, nuk reagoi publikisht ndaj paralajmërimeve.

Presidenti ukrainas druhej se paniku mund të destabilizonte ekonominë dhe të përshpejtonte krizën financiare. Për më tepër, sipas raportit, ai nuk ishte plotësisht i bindur për saktësinë e skenarit të paraqitur.

Mesazhe të përziera nga Perëndimi

Një faktor kyç në mosbesimin ndaj paralajmërimeve ishte mungesa e një qëndrimi të unifikuar perëndimor. Ndërsa SHBA-të dhe Britania paralajmëronin se lufta ishte e pashmangshme, Franca dhe Gjermania, sipas një zyrtari të lartë ukrainas, e minimizonin rrezikun.

“Britanikët dhe amerikanët thonin se lufta ishte e pashmangshme, ndërsa francezët dhe gjermanët thonin: ‘Mos i dëgjoni, është e pakuptimtë’”, citohet të ketë thënë zyrtari.

Pushtimi rus nisi më pas më 24 shkurt 2022, duke konfirmuar vlerësimet e inteligjencës anglo-amerikane dhe duke shënuar fillimin e konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. /Albanianpost.com

Read Previous

Ministri kanadez: Konfirmohet se tarifat e Trumpit ishin të padrejta

Read Next

Macron: Është mirë të kesh kundërpesha ndaj pushtetit në demokraci