Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
E ndjekur nga Roja Bregdetare amerikane në Karaibe, cisterna e naftës Bella 1, e sanksionuar nga Washingtoni, ka ndërmarrë një veprim të pazakontë në përpjekje për t’iu shmangur ndalimit: ka pikturuar në anijen e saj flamurin rus, duke pretenduar mbrojtjen e Moskës, më pas ka ndryshuar kurs dhe ka fikur sistemet e radarit.
Lajmi është bërë i ditur nga New York Times, sipas të cilit autoritetet amerikane kishin rreth një javë që përpiqeshin të interceptonin anijen, e nisur nga Irani dhe me destinacion Venezuelën për furnizim me naftë.
Ky episod i shtohet përshkallëzimit të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës, të cilat në orët e fundit janë shoqëruar me zhvillime të tjera domethënëse.
Sipas mediave amerikane, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka kryer sulmin e parë tokësor ndaj objektivave në Venezuelë, me shumë gjasa më 24 dhjetor, duke goditur mjete lundruese të ankoruara në një mol. Nga sulmi nuk janë raportuar viktima. Konfirmimi vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte refuzuar të tregonte se kush qëndronte pas operacionit, për të cilin kishte folur më 26 dhjetor në një intervistë radiofonike.
Dy ditë më vonë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në rezidencën e tij në Mar-a-Lago, Florida, Trump përmendi një “shpërthim të madh në zonën e molit” dhe përmendi bandën kriminale Tren de Aragua, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Në të njëjtën kohë, ka dalë ajo që konsiderohet prova e parë e pavarur e sulmeve ajrore të kryera nga Pentagoni kundër trafikut të drogës në Karaibe. Këtë herë nuk bëhet fjalë për pamje nga dronët ushtarakë, por për një video të regjistruar me telefon celular. Më 6 nëntor, në gadishullin e Guajiras në Kolumbi, një banore e zonës filmoi tym të dendur që ngrihej në horizont pas një shpërthimi të dëgjuar në distancë. Dy ditë më vonë, në të njëjtën zonë u gjet një mjet lundrues i dëmtuar rëndë, brenda të cilit ndodheshin trupa të pajetë dhe gjurmë që lidhen me trafik droge.
Sipas New York Times, ky zbulim përbën provën e parë fizike të fushatës amerikane kundër narkotrafikut, e cila gjatë më shumë se tre muajve ka çuar në shkatërrimin e rreth 30 mjeteve lundruese në Karaibe dhe në Paqësorin Lindor, si dhe në vdekjen e mbi 100 personave.
Presidenti Trump ka akuzuar presidentin venezuelian Nicolás Maduro se qëndron pas rrjeteve të trafikut të drogës. Nga ana e tij, Maduro ka deklaruar në Telegram se forcat venezueliane kanë shkatërruar nëntë avionë të trafikut të drogës në shtetin Amazonas, pranë kufirit me Brazilin, si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Uashingtonit. Edhe pse për këtë operacion nuk ka pamje të pavarura, për të paktën një sulm amerikan tashmë ekziston dokumentim vizual.
Pamjet e regjistruara në Guajira përkojnë me deklaratën e bërë po atë ditë nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili në rrjetin X njoftoi për një operacion kundër trafikantëve të drogës në ujëra ndërkombëtare, duke thënë se tre persona kishin humbur jetën. Sipas Times, sulmi ka ndodhur në Gjirin e Venezuelës, një zonë ku Kolumbia dhe Venezuela kanë prej kohësh mosmarrëveshje për kufirin detar. Mjeti lundrues mund të ketë qenë kolumbian dhe jo domosdoshmërisht i lidhur me Tren de Aragua.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, shkroi në X se SHBA-të kishin bombarduar një strukturë në Marakaibo, e cila dyshohet se përdorej për përpunimin e lëndëve narkotike. Ai sugjeroi se objekti mund të ketë qenë i lidhur me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (ELN), një grup gueril kolumbian që ka ndikim në rajonin e Katatumbo-s, pranë kufirit me Venezuelën.