Tema e “Ballkanit të Hapur” shkakton mospajtime në mes të Kurtit dhe Zaev

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe homologu i tij nga Maqedonia Veriore, Zoran Zaev nuk janë pajtuar sot për iniciativën e “Ballkanit të Hapur” në Ballkanin Perëndimor.

Në një konferencë të përbashkët për medie, pas mbledhjes së dy qeverive, kryeministri Kurti tha se Kosova dëshiron sa më shumë marrëveshje në aspektin bilateral në rajon dhe jo iniciativa ku nuk është BE-ja brenda.

“Dëshirojmë sa më shumë marrëveshje dhe zbatimin e tyre në aspektin bilateral. Jemi të orientuar nga e ardhmja dhe për neve e ardhmja është BE-ja. Bashkimi Evropian është fati ynë, ndërsa Evropa është kontinenti ynë. Ne si Kosovë i mbështesim të gjitha iniciativat rajonale që brenda është BE-ja dhe mbështetet nga ta”, tha ai.

Ndërsa, Zaev tha se për nismën “Ballkanin e Hapur” kanë mendime të ndryshme me kryeministrin Kurti, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë marrëdhënie të mira bilaterale ndërmjet vendeve.

“Për Ballkanin e Hapur kemi mendime të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të kemi marrëdhënie të mira bilaterale. Unë mund të them vetëm një gjë që Kosova është shtet i pavarur dhe sovrane dhe ne e respektojmë vendimet e tyre”, shtoi ai.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, që Kosova e ka kundërshtuar edhe më parë. Në këtë nismë, që është thënë se do të kontribuojë në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Më 29 korrik 2021, kur iu ndryshua emri kësaj nisme, në një forum ekonomik të mbajtur në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative.

/KosovaPress/

Read Previous

Gjakova prin me më së shumti doza të vaksinave të administruara

Read Next

Krasniqi: UÇK nuk ka pasur arkiva