Të akuzuarit për hedhje të gazit në Kuvend: E mbrojtëm territorin e Kosovës

Para Gjykatës Themelore në Prishtinë sot u paraqiten katër të akuzuarit për futjen e bombolave të gazit në hapësirat e Kuvendit të Kosovës. Të akuzuarit ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ish deputetet Donika Kada-Bujupi dhe Besa Baftiu janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprën penale për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në shkurt të vitit 2016-të.

Pasi aktakuza është konsideruar e lexuar, katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, dhe që të gjithë kërkuan që sa më parë të kryhet ky proces. E seanca e radhës u caktua të mbahet më 18 maj 2021 nga ora 13:15.

Të akuzuarat, Albulena Haxhiu, Donika Kada-Bujupi dhe Besa Baftiu u deklaruan se do mbrohen vetë, ndërsa, i akuzuari, Pal Lekaj do të mbrohet në këtë rast nga avokati, Arianit Koci.

Ish deputetja e LVV-së, tani ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi vetën të pafajshme për veprime të cilat tha se nuk kanë pasur qëllim kriminale.

Haxhiu: Qëllimi jonë nuk ka qenë kriminal, ndihem e pafajshme

“E kuptoj aktakuzën, nuk e kundërshtoj si të tillë për faktin se në vitet 2015-16 Kosova është përballuar me dy projekte të rrezikshme ka qenë obligim i yni si deputet i Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrim veprime protestuese në mënyrë që zëri dhe argumentet tona politike që nuk dëgjoheshin të merren parasysh. Qëllimi jonë nuk ka qenë qëllim kriminal është shumë e rëndësishme edhe për prokurorin dhe për ju gjyqtare sepse në një proces gjyqësor është shumë i rëndësishëm edhe qëllimi. Por, thjesht qëllimi jonë ka qenë ta mbrojmë Kosovën nga cenimi i territorit por edhe nga bosnjëzimi i saj. Sikur ne mos t’i kishim marr ato veprime sot do t’i vuanim dënimet e atyre projekteve siç është bosnjëzimi i Kosovës. Prandaj, ne vetëm mund të themi se jemi krenar për veprimet që i kemi bërë dhe nuk ndjehemi fajtor. Sa herë që do përballemi me situata të tilla uroj që mos të përballemi më janë aty për ta mbrojtur Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj”, tha Haxhiu.

I pafajshëm u deklarua edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj. Edhe ai tha se veprimet që i kanë bërë atë kohë kanë qenë për ta mbrojtur territorin e Kosovës.

Lekaj:Veprimi ka qenë politik, nuk ndihem fajtor

“Sa i përket veprimi tonë ka qenë veprim politik i domosdoshëm dhe betimi i deputetit është për të mbrojtur shtetin e Kosovës, territorin për të mos lejuar askënd ta cenoj territorin. Prandaj, veprimet e mija kanë qenë politike dhe nuk ndihem fajtor për veprimet”,u shpreh Lekaj.

Edhe ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi për veprën penale me të cilën ngarkohet u deklarua e pafajshme.

Kadaj-Bujupi: Motivet e veprimeve të mija kanë qenë politike ndihem e pafajshme

“Të gjitha veprimet janë qenë publike, rrjedhimisht për bindje dhe qëllime politike ky ka qenë motivi. Asnjëherë nuk e kam mohuar veprimin si të tillë, kanë qenë veprime të përsëritura në fakt në sallën e Kuvendit, në kuadër ë mandatit të deputetes së Republikës së Kosovës, për të gjitha veprimet e mija të cilat nuk i mohoj pra i pohoj nuk ndihem fajtore”, deklaroi ajo.

Për veprën penale që akuzohen vetën të pafajshme e konsideroi edhe e akuzuara ish deputetja, Besa Baftiu.

Baftiu: Për veprën e kryer ndihem e pafajshme

“Lidhur me veprën të cilën e kemi kryer ndihem e pafajshme duke pasur parasysh se ato kanë qenë veprime politike ashtu siç e ceku edhe kolegia ime. Kemi bërë veprime të cilat kanë qenë publike në Kuvendit të Kosovë gjatë mandatit si deputetë”, tha ajo.

Në shqyrtimin fillestar I pranishëm ishte edhe prokurori Ilaz Beqiri e cili kërkoi që seanca për procesin gjyqësor tutje të vazhdoj sot, por më pas kryetarja e trupit gjykuese , Fatmire Dermaku tha se sot nuk është e mundur të vazhdoj seanca, prandaj seanca e radhës u caktua të mbahet më 18 maj në orën 13:15.

Beqiri: Të vazhdoj sot seanca, Dermaku: Nuk mundemi më 18 maj vazhdon seanca tjetër

“Këto veprime po i pranojnë, fajësinë nuk po e pranojnë dhe kishte qenë mirë me përfundu seanca fillestare dhe me vazhdu më 18 maj prokurori nuk mundemi sepse ekzistojnë dispozitat ligjore ”, u shprehen ata.

Edhe dy të akuzuarat, ish deputetet, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi thanë se sa më herët të përfundoj procesi do jetë më mirë.

Sipas aktakuzës së ngritur me 8 prill 2016, Haxhiu, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Read Previous

Krijohet Shoqata e Përkthyesve Shqiptarë, Rexhep Hida në krye të saj

Read Next

Grupi i gjakut nuk ka lidhje me formën e sëmundjes së Covid-19