Sylvinho: I kënaqur me rezultatin, por jo me lojën – faleminderit tifozëve që ishin në stadium

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, e ka nisur intervistën e tij pas barazimit ndaj Çekisë, duke i falënderuar shqiptarët e shumtë që ishin në stadium.

Ai pastaj ka shtuar se nuk ishte i kënaqur me lojën, por me rezultatin po.

Komplimente për këtë Shqipëri, mënyrën si luajti dhe rezultatin që mori. A e kishit përgatitur kështu ndeshjen?

Fillimisht dua të falënderoj para së gjithash tifozët e shumtë shqiptarë që ishin këtu dhe na mbështetën. Jam i kënaqur për rezultatin, por jo për paraqitjen e skuadrës. Sigurisht që kemi 23-24 lojtarë që japin zemrën dhe shpirtin në fushë, ndaj kjo është shumë e rëndësishme. Barazimi që morëm sot është fryt i punës së të gjithë lojtarëve, edhe atyre që nuk luajtën dot sot.

A prisni pak më tepër nga sulmuesit, pasi vijojmë të shënojmë me mesfushorët?

Bajrami është një futbollist cilësor, por edhe sulmuesit po bëjnë shumë mirë. U kam thënë futbollistëve se goli është shumë i rëndësishëm. Herët a vonë, të gjithë do të arrijnë të shënojnë, por ka rëndësi që të vazhdojnë të bëjnë një punë shumë të mirë.

Një pjesë e parë shumë e mirë, por një tërheqje dhe rënie e agresivitetit në fillim të pjesës së dytë. A është gjendja fizike ajo e duhura?

Nuk kishte rënie fizike. Jam dakord për analizën, pasi bëmë një pjesë të parë shumë të mirë dhe shumë të sigurt. Shumë intensive, taktike dhe me cilësi teknike. Më pas mos harrojmë që kishim përballë një skuadër fizike, me lojtarë shtatlartë, që krijojnë shumë avantazhe në fushë. Kemi pësuar 10 minuta shumë të vështira në pjesën e dytë, pasi ishim mbrapa, të tërhequr, pro taktikisht mendoj se kemi bërë mirë. Më pas e morëm veten, barazuam dhe pas ndërrimeve, me lojtarë të freskët, e ndihmuam shumë lojën e skuadrës.

Po na mësoni keq me këto golat e bukur. U bë e treta ndeshje radhazi, që shënojmë gola spektakolarë…

Është cilësia e lojtarëve. Ka shumë cilësi, te Asllani, Asani, Bare, Bajrami, Uzuni, Seferi, etj., etj. Janë shumë lojtarë të mirë.

I ka parë statistikat, që sot kishte vetëm një goditje në portë dhe atë me Bajramin?

Kishim vetëm një gjuajtje, por kishim edhe raste të tjera në pjesën e parë. Mos harrojmë që kundërshtari është shumë i fortë fizikisht dhe nuk lë hapësira.

/SS/

Read Previous

Në prag të takimit të 14 shtatorit, Lajçak në Berlin diskuton për dialogun me këshilltarin e kancelarit Scholz

Read Next

Takimi Osmani-Stoltenberg, deklarata për zbarkimin në veri dhe kundërpërgjigja e presidentes