Sveçla pret një delegacion nga Çekia, flasin për situatën e sigurisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur të mërkurën një delegacion nga Çekia, me të cilët ka biseduar për sfidat e vazhdueshme që shkakton Serbia ndaj Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur nga Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar edhe përbërjen e delegacionit çek, i cili ka qenë i prirë nga Tomas Czernin, Nënkryetar i Senatit të Parlamentit dhe Pavel Fischer, Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje.

Kreu i MPB-së ka theksuar se ka falendëruar Çekinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“Prezantova angazhimet tre vjeçare të Qeverisë sonë veçanërisht në fushën e sigurisë publike, luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, trafiqeve të ndryshme dhe terrorizmit. Diskutuam për situatën aktuale të sigurisë dhe për sfidat e vazhdueshme të shkaktuara nga Serbia e cila vazhdon të ketë aspirata territoriale ndaj vendit tonë”, shkroi Sveçla.

Po ashtu, ai e ka falënderuar delegacionin çek për reagimin publik në dënimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij sulmi.

“Fischer në emër të delegacionit të Republikës së Çekisë falënderoi për mikpritjen dhe përgëzoi për angazhimin e vazhdueshëm që pavarësisht sfidave të njëpasnjëshme kemi arritur të kemi suksese në prioritetet tona”, nënvizoi.

Në fund, Sveçla ka potencuar se të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë e plotë për thellim të bashkëpunimit në fushën e sigurisë./Albanianpost.com

Read Previous

Ish-komandanti i UÇK-së Qeriqi përfundon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

Read Next

Lumi Vjosa në UNESCO, Kumbaro: Aplikimi gati brenda vitit