Stoltenberg mbledh aleatët rajonalë në Shkup, mes tensioneve në Ballkanin jashtë NATO-s

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si edhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob.

Nuk janë thjesht emrat e disa prej liderëve në shtetet ballkanike, por e liderëve rajonalë, të cilët janë aleatë nën organizatën e NATO-s dhe sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, i ka thirrur të gjithë ata në takim, në Shkup.

Kështu, duke përmbyllur një vizitë treditore në disa vende, ku përfshihen Kosova, Bosnjë dhe Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ku edhe takimi më i rëndësishëm do të vijohet.

Stoltenberg në fakt vjen i ngarkuar me një dosje voluminoze nga tre vendet e para, të vizituara në dy ditët e para në Ballkan, mes tensionesh të mëdha, të cilat u shpalosën edhe në retorika apo konferenca shtypi të mbajtura.

Ballkani e ka qartësisht një problem të madh dhe ai problem është qartazi Beogradi, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, i cili guxoi të shkonte edhe aty, sa të thoshte se “nuk merr direktiva mbi mënyrën si operon Ushtria serbe nga askush”, duke iu referuar pikërisht Stoltenbergut.

Nuk është rastësi që ky i fundit agjendën e nisi me vendet jashtë NATO-s, në të cilat edhe rreziku i konfliktit është i ndjeshëm, pas ngjarjeve të lakueshme në veriun e Kosovës, apo edhe tensionet brenda Bosnjës, me një Republika Srpska gjithnjë e më kërcënuese për bashkim me Beogradin.

Po ashtu, deklaratat e forta të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Rusia ka një plan të qartë destabilizimi në Ballkanin Perëndimor, e ndërlikuan edhe më tej skenarin dhe bënë që frika të ngjallej më e fortë.

Me qetësi, referuar deklaratave të Zelenskyt, Stoltenberg tha se nuk ka aq vend për t’u shqetësuar, pasi Aleanca nuk ka hasur deri më tani në ndonjë kërcënim serioz ushtarak që do të mund të vinte nga Rusia.

“Ne nuk shohim ndonjë kërcënim ushtarak që do të vinte nga Rusia ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s, apo rajonit, por gjithsesi se jemi të kujdesshëm dhe nga afër po vëzhgojmë çfarë po bën Rusia”.

Kështu tha ai gjatë një konference për shtyp me Kovaçevskin, mikpritës i këtij takimi shumëpalësh me liderët rajonalë.

Nuk është rastësi megjithatë edhe fakti se pse Stoltenberg këtë deklaratë e bën pikërisht brenda territorit të NATO-s.

Sa kohë ai po vizitonte tre vendet rajonale jashtë aleancës, nuk mori mundimin të komentonte shqetësimet e Zelenskyt.

Por, hyrja në territor të NATO-s, është një mesazh se organizata operon me funksionalitet edhe këtu dhe nuk lë hapësirë për aventura të shteteve, të cilat kërkojnë të hedhin sytë njëkohësisht sa nga Evropa, edhe nga Rusia (Serbia/Milorad Dodik i Republika Srpska).

Nuk është rastësi as fakti që në takim janë ftuar edhe shtetet më veriore, të cilat janë edhe pjesë e Bashkimit Evropian, përtej NATO-s (Kroacia/Sllovenia).

Të dyja këto të fundit e kanë dhënë garancinë se janë pjesë integrale e garantimit të sigurisë dhe paqes në rajon, duke pasur kapacitete më të mëdha se tre vendet e tjera (Shqipëria/Maqedonia e Veriut/ Mali i Zi).

Sllovenia madje ka pasur edhe një rol të shtuar, si interlokutore kryesore e Perëndimit me Ballkanin dhe ka bërë gjithnjë më shumë për të vendosur një shembull integrimi në rajon.

Por pyetja e madhe që duhet të shtrohet gjithsesi në fund të takimit, mund të jetë vetëm një: Është realisht kaq e qetë situata në Ballkan, sa të mos ketë rrezik eventual të ndërhyrjes ruse, sa thotë Stoltenberg?

Përgjigja do të vijë me gjasë gjatë konferencës pas mbledhjes. /Albanianpost.com

Read Previous

KEDS njofton ku do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike gjatë ditës së sotme

Read Next

Këto komisione mblidhen sot për të shqyrtuar çështje të ndryshme