Spanca: 800 mijë euro humbje nga dështimi i AKP-së që të ruajë vlerën e pronave me qira

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka dështuar të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave dhe aseteve të dhëna me qira. Nga mostrat e testuara nga ky institucion, rezulton se vlera potenciale e humbjes nga këto raste është mbi 800 mijë euro.

Kështu ka deklaruar Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me Raportin e Auditimit për të hyrat nga qiraja për një periudhë 10 vjeçare.

Spanca tha se 41 për qind e mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi dhe vlera potenciale e humbjes nga këto raste është mbi 800 mijë euro. Sipas saj kjo vlerë mund të jetë edhe më e lartë.

“Pas vlerësimeve tona, gjetjet janë se AKP ka dështuar të ruajë vlerën e pronave. 41 për qind e mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi. Ka pasur 800 mijë euro humbje, humbja potenciale di të ishte më e lartë. Agjencia kishte lidhur edhe kontrata të paligjshme. Veprimet e tilla i kanë stimuluar subjekte afariste që t’i uzurpojnë pronat. Gjetjet e auditimit janë se kishin dhënë prona me qira pa detaje të shfrytëzimit. Konstatojmë se Agjencia nuk ka bërë përpjekje për t’i menaxhuar pronat”, tha ajo.

E zëvendëskryesuesja e Bordit të AKP-së, tha se ky raport është vlerësuar nga agjencia dhe se gjatë punimit të raportit ka pasur bashkëpunim të mirë ndërmjet AKP-së dhe ZKA-së.

“Ky raport është vlerësuar shumë nga bordi i AKP-së. Një auditim i tillë shton vlerën tek ne në AKP. Gjatë këtij auditimi AKP ka mbajtur një raport shumë të mirë me ZKA-në. Besoj që dialogu jonë aktiv e ka bërë më të lehtë punën. Pas draftimit të raportit, kemi mbajt një takim ku i kemi diskutuar të gjitha gjetjet dhe kemi paraqitur argumentet tona se ku pajtohemi e ku jo. Tani më sipas raportit dhe rekomandimeve, ne jemi në proces të draftimit të planit dhe deri në mars ky plan do të paraqitet në komisionin tuaj. Auditimet e përformancës janë më të reja dhe paraqesin një auditim më subjektiv. Të gjitha këto rekomandime do të adresohen në mënyrë të duhur”, tha ajo.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, tha se pas raportit, ka pasur një reagim publik dhe se AKP-ja ka mohuar rritjen e vlerës së pronave.

Ai pyeti për metodat e dhënies me qira të këtyre pronave.

“Çmimi i qerasë ka ra, deklaratat e juaja pranë komisionit për ekonomi është e pa saktë. Ju fare nuk e zbatoni tenderimin publikë. A është bërë tenderimi për 30 aseta”, tha ai.

“Ju nuk e keni bërë as një rivlersimë, të gjitha kontrat që i keni nënshkruaj ju, as një tenderim nuk e keni bërë”, tha ai.

Syzana Dautaj tha se menaxhmenti e ka përgatitur atë reagim dhe sipas saj secila qira e dhënë ka qenë në tenderim.

“Është e vërtetë se pas publikimit të raportit, AKP ka pasur një reagim. Në konkluzionin e këtij raporti është thënë se AKP ka dështuar që t’i menaxhoj qiratë e tyre. Mirëpo në media deklarata ka qenë që ka mungesë totale të mbikëqyrjes totale e cila nuk është e njëjtë. Menaxhemnti e ka përgatitur një drafte komunikatë, ne e kemi rishikuar atë. Unë me plotë vërtetësi, deri me tash kemi pasur disa tenderime publike të qirave. 100 prona janë dërguar në tenderim publikë. Tenderimi është bërë ashtu siç është raportuar. Nuk mundem që ta mbaj në mënd secilin tenderim. Secilën qira që e kemi dhënë ka qenë në tenderim”, tha ajo.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, pyeti për mostrat që janë përdorur nga Auditori për këtë raport.

“A mendoni se auditimi që keni kryer, a është e ligjshme metodologjia që e keni kryer ju. A konsideroni ju që keni pasur baze ligjore që e keni kryer këtë auditim. A keni pasur monstra”, pyeti ai.

Me këtë rast, Spanca tha se ZKA me ligj është e detyruar që të bëjë auditimin e gjitha agjencive në baza vjetore dhe se kanë pasur 71 mostra që janë përdorur.

“Zotohemi se do ta mbajmë një takim dhe do te marrim masa për këto të gjetura. AKP e ka mision shitjen dhe kërkojmë nga ZKA-ja të auditoj shitjet direkte”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, pyeti Bordin e AKP-së nëse e meritojnë të ekzistojnë pas këtyre gjetjeve.

“Pas marrjeve të përgjegjësive ju si bord cilat janë veprimet që keni marr, nuk ka përmirësim të gjendjes. Vazhdon ai keqmenaxhim po më të njëjtin bord po me ndryshime. Nuk ka fare ndryshime. Cilat janë përfomancat e juaja që e keni shtuar vlerën e pronave. Vlen pyetja se si bord a meritoni që të ekzistoni. Keni ardhur për ndryshime rrënjësore dhe nuk po mundeni. I njëjti avaz, ne e kemi edhe një vendim për shuarje por larg jemi asaj që ka premtuar kjo qeveri. Heshtja është keqpërdorim i detyrë zyrtare”, tha ai. /EO

Read Previous

Nga Zhegrova te Aro Muric e Leart Paqarada, pesë futbollistët më të vlerësuar të Kosovës në fundjavën që lamë pas

Read Next

Apple me sa duket planifikon të kufizojë funksionalitetin e USB-C të iPhone