SPAK rrëzon kërkesën e Sali Berishës për të marrë pjesë në seanca plenare

Prokuroria e Posaçme (SPAK) këtë të premte të 19 janarit ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit, Sali Berisha, për të marrë pjesë në seancat plenare.

“Personi nën hetim Sali Berisha(i përfaqësuar nga mbrojtësit e tij Sokol Mëngjesi dhe Genci Gjokutaj) ka depozituar në datën 15 janar një kërkesë me anën e së cilës kërkonte lejimin e tij për të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit, në cilësinë e deputetit. Pasi janë njohur me përmbajtjen e kësaj kërkese, me vendimin e datës 18 janar,prokurorët kanë vendosur mospranimin e saj”, njofton Prokuroria e Posaçme.

Ishin avokatët mbrojtës të Berishës ata që i ishin drejtuar me SPAK duke argumentuar se kjo është një e drejtë dhe detyrim kushtetues për të përmbushur detyrën si ligjvënës.

Ndërkaq vendimi për Berishën i shtyrë disa herë në kohë, erdhi lidhur me hetimet që po zhvillohen për çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani, për të cilin si Berisha, ashtu edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, akuzohen për përfitime dhe korrupsion.

Në bazë të vendimit të GJKKO, Berisha ka të drejtë të komunikojë vetëm me personat me të cilët jeton në banesë, duke i pamundësuar kështu vizitat dhe komunikimet me persona të tjerë.

Teksa ka thënë më parë se ai do ta respektojë vendimin e gjykatës, nuk është e sigurt ende nëse Berisha do ta thyejë apo jo masën e sigurisë të vendosur ndaj tij.

Vetë Berisha ende nuk e ka komentuar vendimin e marrë nga GJKKO.

Më 21 dhjetor, ishte Kuvendi i Shqipërisë, ai i cili i hapi rrugën Berishës për t’u arrestuar nga SPAK.

Pavarësisht votimit vetëm me votat e mazhorancës, Berisha nuk e ka pranuar këtë vendim parlamentar ndaj tij dhe ndaj, mundet edhe të mohojë gjithë rrethanat e lënies në arrest shtëpie. /Albanianpost.com

Read Previous

Mosmarrëveshje mes fqinjëve, arrestohen tre persona në Gjakovë

Read Next

Simeone: Real Madridi është ekipi më i mirë në botë