U caktohet nga një muaj paraburgim katër të arrestuarve në rastin e Arlinda Zekajt
Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka afat deri sot për të paraqitur zyrtarisht njoftimin për apelimin e aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë, me të cilin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Avokatët e katër ish-drejtuesve të UÇK-së tashmë kanë paralajmëruar se do t’i kundërshtojnë vendimet e gjykatës, duke i cilësuar dënimet si të padrejta.
Sipas vendimit të shpallur më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Pas dorëzimit të njoftimit për apel, procedura kalon në një fazë tjetër gjyqësore, e cila nuk ka një afat të përcaktuar për përfundimin e saj.
Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara, pas njoftimit për apel, kryegjykatësi i Panelit të Apelit mund të caktojë një gjykatës raportues, i cili kujdeset për përgatitjen procedurale të çështjes për shqyrtim.
Brenda 21 ditësh nga njoftimi për apel, thirret edhe një konferencë ku trajtohen çështjet që lidhen me procedurën e apelimit.
Palët më pas duhet të dorëzojnë dosjet përkatëse, ku paraqesin argumentet dhe bazat ligjore mbi të cilat mbështesin kundërshtimet e tyre. Afati për dosjen e apelit është 60 ditë, ndërsa kur ankesa lidhet vetëm me dënimin, afati është 30 ditë.
Pas kësaj, palët kanë mundësi të paraqesin përgjigjet dhe kundërpërgjigjet e tyre, sipas afateve të përcaktuara në rregullore. Gjykata mund të caktojë edhe seancë dëgjimore, nëse e vlerëson të nevojshme.
Në përfundim të procedurës, Paneli i Apelit mund ta lërë në fuqi aktgjykimin, ta ndryshojë ose ta shfuqizojë atë, si dhe të urdhërojë rigjykim.
Ndërkohë, nëse apeli paraqitet vetëm nga të dënuarit, gjykata nuk mund të shqiptojë dënim më të rëndë sesa ai i shkallës së parë.
Rregullorja parasheh që vendimi i Apelit të shpallet brenda 60 ditësh nga parashtrimi i fundit i palëve, me mundësi të zgjatjes së këtij afati edhe për një muaj, nëse ka arsye të justifikuara.
Në rast se palët nuk pajtohen as me vendimin e Apelit, ato mund t’i drejtohen më tej Panelit të Gjykatës Supreme dhe, në fund, Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara.

