Wesley Sneijder ka rikthyer në vëmendje Interin e famshëm të vitit 2010, duke bërë një krahasim me skuadrën aktuale të drejtuar nga Cristian Chivu. Ish-mesfushori holandez, një prej protagonistëve kryesorë të tripletës, është i bindur se skuadra e asaj kohe mbetet në një nivel tjetër.
Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, Sneijder deklaroi se edhe pas 16 vitesh nuk ka parë një Inter të barabartë me atë që fitoi Serie A, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve në sezonin 2009/10.
“Pas 16 vitesh, ende nuk ka pasur një skuadër të barabartë me tonën. Kishim gjithçka, vërtet gjithçka. Mendoj se nuk ka asnjë lojtar të këtij Interi që do të mund të luante në skuadrën tonë”, u shpreh ai.
Deklarata më pikante erdhi kur u pyet nëse kapiteni aktual i Interit, Lautaro Martinez, mund të zinte vendin e tij në formacionin e tripletës.
“Lautaro në vendin tim? Mos bëjmë shaka…”, tha Sneijder me humor. /tvsyrivision/