Situatë alarmante me zjarret në Shqipëri

Shqipëria po përballet me një situatë alarmante për shkak të përhapjes masive të zjarreve në disa zona të vendit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në 24 orët e fundit janë regjistruar 36 vatra zjarri, nga të cilat 24 vijojnë të jenë aktive, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në pyje, flora dhe fauna, si dhe duke rrezikuar zonat e banuara.

Zonat më të prekura janë qarqet e Vlorës dhe Dibrës, ku ndërhyrja nga toka dhe ajri ka qenë intensive. Në Dibër, situata është veçanërisht problematike në Parkun Kombëtar të Lurës, ku janë përfshirë nga flakët mbi 350 hektarë pyje.

Ndërsa në Vlorë, zjarret po përhapen në zonat malore të Dukatit dhe Orikumit, të favorizuara nga era dhe temperaturat ekstreme që kanë shkuar deri në 45°C.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, nga baza ajrore e Kuçovës deklaroi se mbi 1 mijë forca zjarrfikëse dhe ushtarake janë angazhuar në terren, ndërkohë që operacionet ajrore janë ndërprerë gjatë natës për shkak të kushteve të pamundësisë së fluturimit.

Ai konfirmoi se pesë helikopterë të Forcës Ajrore janë përdorur për ndërhyrje, përfshi edhe dy avionë Canadair nga Italia dhe Kroacia për ndihmë shtesë.

“Operacionet ajrore do të rifillojnë që në mëngjes. Situata është serioze, por nën kontroll. Forcat tona janë të koordinuara në të gjithë vendin”, u shpreh Vengu.

Tre qarqet më problematike aktualisht gjatë natës janë Vlora, Dibra dhe Berati, ku ndërhyrjet ajrore dhe tokësore janë përqendruar intensivisht.

Në veçanti, në zonat e Shpiragut dhe Paftalit, si dhe në fshatrat Borsh, Piqeras, Selenicë, Shashicë dhe Kaninë, autoritetet janë në gatishmëri për të mbrojtur banesat, rrjetin energjetik dhe infrastrukturën urbane.

Ndërkohë, autoritetet lokale kanë nisur evakuime parandaluese në disa fshatra të afërta me vatrat e rrezikshme dhe kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët.

Rritja e temperaturave dhe thatësira kanë rritur rrezikun e shpërthimit të zjarreve të reja.

Shqipëria megjithatë nuk është e vetmja në këtë betejë: vendet e Ballkanit po përballen gjithashtu me valë të nxehti ekstreme dhe vatra zjarri në shkallë të gjerë, një paralajmërim i qartë për ndikimin gjithnjë e më të dukshëm të ndryshimeve klimatike.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarre në natyrë dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë pranë shërbimeve të emergjencës./Albanianpost.com

Read Previous

Apple teston versionin e ri iOS 26

Read Next

Tetë muaj heshtje për rastin që preku sigurinë kombëtare