“Si minj të mbyllur në kafaz” – Kriza e mbipopullimit të burgjeve në Evropë

Belgjika po përballet me një krizë të thellë të mbipopullimit në burgje, ku kushtet e vështira të jetesës, mungesa e personelit dhe rritja e numrit të të burgosurve po vënë në pikëpyetje funksionimin e sistemit penitenciar.

Ekspertët paralajmërojnë se masat emergjente dhe ndërtimi i burgjeve të reja nuk ofrojnë zgjidhje afatgjata, ndërsa theksojnë nevojën për më shumë fokus te riintegrimi i të burgosurve dhe alternativat ndaj burgimit. Në të kundërt, rreziku i përsëritjes së krimeve dhe i përjashtimit social mbetet i lartë.

Bilali e njeh fort mirë jetën pas grilave.

Përgjatë dhjetë vjeteve të fundit, Bilali, tashmë 34 vjeç, ka vuajtur dënimin e tij në pesë burgje të ndryshme në Belgjikë. Kujtimet më të forta i ka nga burgu i Monsit, një institucion ndëshkues i ndërtuar në shekullin XIX pranë kufirit francez. Sipas tij, qelitë me sipërfaqe prej vetëm 9 metrash katrorë strehonin nga tre deri në katër të burgosur, duke krijuar kushte jashtëzakonisht të vështira jetese. Ai kujton shpërthimet e vazhdueshme të zgjebes, praninë e insekteve si morrat e shtratit, si dhe përhapjen e lisë së majmunit, ndërkohë që gardianët përballeshin me lodhje dhe rraskapitje të skajshme.

“Gjatë dhjetë vjeteve që kalova në burg, situata vetëm sa u përkeqësua”, tha Bilali për Al Jazeera, duke kërkuar që të përdorej vetëm emri i tij. “Na reduktuan kohën që mund të kalonim jashtë qelive dhe na hoqën një pjesë të madhe të aktiviteteve që kishim më parë”.

Belgjika, ndonëse konsiderohet një nga vendet më të pasura të Evropës, po përballet me një krizë gjithnjë e më të thellë të mbipopullimit në burgje.

Në mesin e muajit maj, 39 burgjet e vendit numëronin gjithsej 13.733 të burgosur, një shifër dukshëm më e lartë se kapaciteti zyrtar prej 11.064 vendesh, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

“Ndërthurja e mbipopullimit në rritje të vazhdueshme dhe mungesa e personelit e bën situatën jashtëzakonisht të vështirë”, paralajmëroi Pieter Houbey, nënkryetar i Këshillit Qendror për Monitorimin e Burgjeve (CCSP), një organ i pavarur mbikëqyrës.

Sipas tij, tashmë është bërë pothuajse e pamundur të ruhet një sistem vuajtjeje dënimi që synon jo vetëm izolimin, por edhe riintegrimin e të burgosurve në shoqëri.

Në mesin e majit, 754 të burgosur detyroheshin të flinin në dyshekë të vendosur në dysheme, krahasuar me 672 persona që gjendeshin në të njëjtën situatë në muajin dhjetor.

Fenomeni nuk kufizohet vetëm në Belgjikë. Në mbarë Evropën, popullsia e burgjeve është rritur ndjeshëm pas pandemisë COVID-19, ndërsa mbipopullimi tashmë prek rreth një të tretën e administratave penitenciare të kontinentit.

Normat më të larta të mbipopullimit regjistrohen në Qipro, e ndjekur nga Sllovenia, Franca, Kroacia, Italia, Rumania, Austria dhe Belgjika.

Përballë këtij realiteti, qeveritë ndodhen nën presion të madh. Megjithatë, ekspertët dhe punonjësit e sistemit penitenciar kritikojnë masat që zakonisht ndërmerren, si ndërtimi i burgjeve të reja apo transferimi i të burgosurve jashtë vendit, duke i konsideruar ato zgjidhje të përkohshme dhe joefektive.

“Si minj të mbyllur në kafaz”

“Për të garantuar kushte dinjitoze, duhet para së gjithash të respektojmë të drejtat e tyre dhe të mos i trajtojmë si minj të mbyllur në kafaz”, tha Yasin Sarikaya, nënkryetar i burgjeve të Brukselit.

Të burgosurit, veçanërisht ata që ndodhen në paraburgim, kalojnë shpesh 22 deri në 23 orë në ditë të mbyllur në qeli. Kjo jo vetëm që ua privon privatësinë, por rëndon edhe më shumë problemet ekzistuese të shëndetit fizik, mendor dhe varësisë nga substancat. Në shumë raste, marrja e ndihmës mjekësore mund të zgjasë me muaj të tërë.

Loic, i cili po vuan vitin e tretë të një dënimi shtatëvjeçar në burgun Saint-Gilles në Bruksel, institucion që planifikohet të mbyllet deri në vitin 2028, tha se mundësitë për punë ose aktivitete të tjera janë pothuajse të papërfillshme. Sipas tij, shumica e të burgosurve nuk kanë leje qëndrimi.

“Do të jetë shumë e vështirë të rikthehem në tregun e punës”, tha 23-vjeçari, duke mbajtur shikimin ulur gjatë bisedës.

Bilali, i dënuar për dy grabitje bankash dhe tentativë vrasjeje, tregoi se gjatë viteve të burgimit kishte përjetuar edhe mendime vetëvrasëse.

Vitet e fundit, në rrjetet sociale janë publikuar video që tregojnë dronë duke futur kontrabandë në burgje. Në vitin 2024, një video bëri bujë të madhe pasi shfaqte një të burgosur që torturohej nga pesë të tjerë brenda qelisë së tij, ndërkohë që gardianët, të përfshirë në një grevë 48-orëshe, nuk e kishin vërejtur ngjarjen për disa ditë.

Lodhja dhe mungesa e gardianëve

Kushtet e vështira ndikojnë drejtpërdrejt edhe te mungesa e stafit.

Në kompleksin penitenciar të Harenit, që konsiderohet burgu më i madh në vend, “disa gardianë janë lënduar dhe nuk mund të paraqiten në punë”, tha Sarikaya, i cili punon aty.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, numri i incidenteve serioze në burgje është dyfishuar brenda vetëm një viti.

Megjithëse nivelet e kriminalitetit janë luhatur gjatë viteve, ekspertët e lidhin situatën aktuale kryesisht me politikat ndëshkuese të Belgjikës dhe përpjekjet e saj për të luftuar krimin e lidhur me trafikun e drogës. Ndonëse vendi përballet me mbipopullim prej dekadash, rritja më e fundit lidhet me vendimin e vitit 2023 për të zbatuar të gjitha dënimet deri në tre vjet burg, të cilat më parë kryheshin kryesisht nën mbikëqyrje elektronike.

Po ashtu, të burgosurit po qëndrojnë për periudha gjithnjë e më të gjata në institucionet penitenciare. Aktualisht, kohëzgjatja mesatare e paraburgimit ose burgimit është 9.9 muaj, një rritje prej 39.4 për qind krahasuar me pesë vjet më parë. Për më tepër, shkalla e paraburgimit në Belgjikë arrin në 32 për qind, dukshëm mbi mesataren evropiane prej 24.7 për qind.

Masat emergjente

Në korrik të vitit të kaluar, parlamenti belg miratoi një ligj emergjent të hartuar nga ministrja e Drejtësisë, Annelies Verlinden. Ky ligj inkurajon përdorimin e dënimeve alternative për personat e dënuar me më pak se tre vjet burg dhe u jep drejtorëve të burgjeve mundësinë të lirojnë të burgosur që kanë dënime deri në 10 vjet, gjashtë muaj para përfundimit të afatit të tyre.

Në planin afatgjatë, qeveria synon të vendosë njësi modulare shtesë, të rinovojë burgjet ekzistuese dhe të ndërtojë institucione të reja.

Megjithatë, profesoresha e kriminologjisë në Universitetin e Lirë të Brukselit, An-Sofie Vanhouche, paralajmëron se kjo qasje nuk do ta zgjidhë problemin e mbipopullimit.

“Hulumtimet tregojnë se sa më shumë hapësira burgimi të krijojmë, aq më shumë njerëz priremi të dërgojmë në burg”, tha ajo.

Qeli me qira në vende të tjera

Si pjesë e politikave më të ashpra ndaj migracionit, Belgjika po kërkon mënyra për të deportuar të burgosurit pa status të rregullt ligjor, të cilët përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë së burgjeve.

Në fillim të këtij viti, ministrja Verlinden vizitoi Estoninë për të diskutuar mundësinë e marrjes me qira të qelive atje. Më parë, qeveria belge kishte shqyrtuar marrëveshje të ngjashme edhe me Kosovën dhe Shqipërinë.

Belgjika nuk është e vetmja që po ndjek këtë model. Suedia ka arritur një marrëveshje me Estoninë për të marrë me qira 400 vende burgimi, ndërsa Danimarka kishte nënshkruar që në vitin 2019 një marrëveshje për 300 vende në Kosovë.

Sipas Vanhouche, këto iniciativa janë kryesisht “simbolike dhe populiste”.

Ajo argumenton se ndikimi i tyre real në uljen e mbipopullimit është i kufizuar, ndërsa ngre një sërë pyetjesh etike që lidhen me të drejtat dhe mirëqenien e të burgosurve.

Çfarë mund të bëhet?

Kritikët kërkojnë që Belgjika të fokusohet më shumë te riintegrimi shoqëror sesa vetëm te aspekti i sigurisë dhe izolimit, duke zgjeruar përdorimin e formave alternative të dënimit.

“Burgu shpesh çon në rikthim në kriminalitet”, paralajmëroi Tahar Elhamdaoui, themelues i organizatës joqeveritare Collectif Desistance, e cila ndihmon ish-të burgosurit e rinj të rikthehen në jetën normale.

Sipas Houbey, shkalla e përsëritjes së veprave penale në Belgjikë arrin nga 60 deri në 70 për qind.

Falë mbështetjes së kësaj organizate, Bilali aktualisht po kryen praktikë si trajner futbolli. Ndërkohë, Loic po provon profesione të ndryshme përmes programeve të lirimit të përkohshëm për punë.

Megjithatë, Elhamdaoui thekson se raste të tilla mbeten përjashtim dhe jo rregull.

“Për sa kohë që burgjet nuk i përgatisin njerëzit për të pasur sukses pas lirimit, ne jo vetëm që do të vazhdojmë të prodhojmë më shumë kriminalitet, por edhe një ndjenjë dëshpërimi aq të thellë, saqë shumë prej tyre nuk do të jenë në gjendje të riintegrohen kurrë plotësisht në shoqëri”, përfundoi ai. /Koha.net/

Read Previous

Njihet zyrtarisht diabeti i tipit 5, mund të prekë deri në 25 milionë njerëz

Read Next

Parashikimi për Kupën e Botës 2026: Fituesi i mundshëm, MVP, golashënuesi dhe portieri më i mirë