Shtohen kërkesat për adoptim, bie numri i fëmijëve të braktisur në Kosovë

Kërkesat për adoptim në Kosovë janë rritur viteve të fundit, derisa numri i fëmijëvë të braktisur nga prindërit biologjik ka rënë dukshëm, ka thënë të shtunën në “Sot” të KTV-së, Vehbi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë.

Sipas tij, ka pasur lëvizje në raport tërësisht të kundër të kërkesave për adoptim dhe fëmijëvë të braktisur pas luftës në Kosovë

“Në vitin 2022 e kemi një situatë komplet ndryshe. Kemi numër jashtëzakonisht të madh të familjeve të interesuara për të adoptuar fëmijë, kurse numri i fëmijëve të braktisur është në rënie e sipër. Kjo na bën të lumtur që kemi shumë më pak fëmijë të braktisur, por na vjen keq edhe për ato familje të cilat nuk po arrijnë të bëjnë zgjidhje për vite të tëra. Mentaliteti i cili ka qenë para luftës dhe pas luftës është se familjet e mëdha nuk kanë pasur shumë probleme të kësaj natyre. Të rralla kanë qenë familjet që nuk ka pasur ndonjë fëmijë. Por ka ndikuar edhe rritja e vetëdijes te nënat e reja, te prindërit e ri, rreth kujdesit të shtatzënisë, dhe nuk kemi më aq shumë shtatzëni të padëshiruara që të kemi shumë fëmijë të braktisur. Mirëpo është rritur edhe vetëdija e popullatës që nëse je në martesë, por vëren që s’do të kesh fëmijë, aplikon përmes institucioneve tona dhe bëhesh një prind i lumtur”, ka thënë Mujku.

Sipas tij, ekzistojnë disa procedura për adoptim për çiftet e interesuara, ndonëse siç ka thënë, në aspektin ligjor ka zgjatje të mëdha të afateve pasi Ligji i Familjes ka mbetur i vjetër.

“Procedura është shumë e thjeshtë, secila familje duhet ta bëjë një kërkesë pranë Gjykatës Themelore të komunës së vet, menjëherë lënda vjen në qendrën për Punë Sociale, janë disa kritere të cilat duhet të përmbushen dhe në momentin që kemi një fëmijë të përshtatëm i cili e ka statusin e zgjedhur ne ia ofrojmë familjes, prapë familja duhet të përballet me gjykatën e cila e merr vendimin përfundimtar në fazën paraadoptuese. Edhe ne atë situatë kur e japim një fëmijë e japim për një periudhë paradoptuese tre mujore për të parë se sa po përshtaten dhe në rast se nuk po përshtaten atëherë mund të ndërpritet adoptimi. Vetëm një rast kemi pasur të mospërshtatjes nga qindra adoptime. Faza e adoptimit duhet të mbikëqyret për një vit me 2-3 vizita maksimum”, është shprehur Mujku.

Ai ka shtuar se problematike mbetet mosha e shtyrë e çifteve kur bëjnë kërkesë për adoptim.

“Është një moshë shumë e shtyrë kur ata aplikojnë, ndodh që derisa një familje bëhet prind adoptues të arrijë atë moshën 50-vjeçare. Këtu e kemi atë frikën që po bëjmë një ndërlidhje gjysh-gjyshe, nip-mbesë dhe jo prindër-fëmijë. Prandaj bëjmë thirrje çifteve të reja që vërejnë që s’do të kenë fëmijë të aplikojnë në moshë sa më të hershme”, ka thënë ai.

Mujku ka theksuar se ata që duan të bëhen prindër adoptues, duhet të kenë edukim, të kenë status financiar të rregulluar, një punë të përhershme, gjendje të mirë shëndetësore dhe të mos kenë të kaluar penale.

Ndërkohë sa i përket gjinisë së fëmijës që kërkohet për adoptim, Mujku ka thënë se është rritur kërkesa për fëmijë të gjinisë femërore./Koha.net/

Read Previous

Situata me COVID-19 në Shqipëri, Komiteti i Ekspertëve lehtëson masat

Read Next

Dr. Roka tregon si duhet të trajtohet kanali i lotëve të bllokuar tek fëmijët