Policia e Shtetit ka vijuar intensivisht bashkëpunimin me partnerët, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat, u finalizua një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.
Në kuadër të kësaj faze, u bë i mundur lokalizimi në Spanjë, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin, i shtetasit në kërkim ndërkombëtar A. Z., 25 vjeç, lindur në Laç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në vitin 2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.
Shtetasi A. Z. akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2023, ka kultivuar 10 mijë e 900 bimë narkotike Cannabis Sativa, në fshatin Kir, njësia administrative Pult, dhe në afërsi të fshatit Theth, Shkodër.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madridin, vijon punën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të këtij shtetasi, në Shqipëri. /Albanianpost.com