Shqiptarët gëzojnë rreth 14.3 vite pension, poshtë mesatares së BE-së por mbi vendet e rajonit

“Scan Intel” nisur nga të dhënat mbi jetëgjatësinë e pritur në lindje, referuar “Agjencisë Evropiane të Statistikave”, kryqëzuar me të dhënat e moshës së daljes në pension, ka përllogaritur se sa vite përfiton ose gëzon pension një qytetar i Shqipërisë, por edhe i Evropës që nga momenti i daljes në pension e deri në fund të jetës së tij.

Në studim janë marrë vendet e Evropës, përfshirë vendet e rajonit, ndërkohë që të dhënat i referohen vitit 2020.

Siç e kemi theksuar edhe në analizat e mëparshme të “Scan Intel” Shqipëria për vitin 2020 ka regjistruar nivel të jetëgjatësisë poshtë mesatares së Bashkimit Evropian. Referuar kësaj periudhe ky tregues në Shqipëri rezulton në 77.4 vite, ndërkohë mesatarja e Bashkimit Evropian për vitin 2020 është 80.4 vite.

Referuar të dhënave nga “OECD” vendi i cili ka moshën më të lartë të daljes në pesion është Norvegjia dhe Islanda me një moshë rreth 67 vjeç secili, pasuar nga Holanda dhe Irlanda me 66.3 vjeç dhe 66 vjeç përkatësisht. Mesatarja e Bashkimit Europian llogaritet në 63.9 vjeç, ndërkohë që Shqipëria pozicionohet poshtë mesatares me moshë të daljes në pension, sipas INSTAT, deri në 63.1 vjeç, referuar vitit 2020.

Nëse do të flisnim për rajonin shifrat tregojnë se vendi me moshën më të lartë të daljes në pension është Bosnje Heregovina me 65 vjeç. I dyti në rajon renditet Mali i Zi me 64 vjeç, pasuar nga Shqipëria në vend të tretë. Ndjek Serbia dhe Maqedonia e Veriut me moshë deri në 63 vjeç secili. Ndër vendet me moshën me të ulët të daljes në pension mund të përmendim Greqinë dhe Italinë me 62 vjeç secili.

Nisur nga indikatorët e përmendur më sipër mund të llogarisim se sa është diferenca mes jetëgjatësisë mesatare dhe moshës së daljes në pension sipas vendeve të Europës. Nga shifrat dalim në përfundimin se në Shqipëri një person që nga dalja në pension e deri në fund te jetës së tij përfiton mesatarisht rreth 14,3 vite pension. Ky tregues na rendit poshtë mesatares së Bashkimit Europian e cila vlerësohet në 16.5 vite.

Vendi ku pesionistët përfitojnë më shumë vite pension është Italia, e cila ishte edhe ndër vendet me moshën më të ulët të daljes në pension. Një pensionist në Itali gëzon rreth 20.3 vite pension, pasuar nga Luksemburgu me 20.2 vite.

Nëse do të analzionim të dhënat vetëm për vendet e rajonit shohim se renditen ndër të fundit mes vendeve të Europës me më pak vite. Shqipëria renditet e para në rajon, ndërkohë një pensionit në Malin e Zi gëzon 11.9 vite pension, pasuar nga Serbia me 11.5 vite, Maqedonia e Veriut me 11.4 vite dhe Bosnje Hercegovina me 11.2 vite.

/Telegrafi/

Read Previous

Tre ushtarë hungarezë u plagosën dje me armë zjarri nga protestuesit në veri

Read Next

Partizani shpallet kampion i Superligës së Shqipërisë në futboll