Pas katër vitesh, Partizani rikthehet te titulli kampion në Superligën e Shqipërisë teksa të kuqtë mposhtën në shtëpinë e tyre, Teutën me rezultatin 2-0. Demat kishin fatet në këmbët e tyre dhe nuk zhgënjyen në sytë e tifozëve teksa golin e parë e realizoi Arinaldo Rrapaj në minutën e 38-të.
Mysafirët ishin të pafuqishëm për të reaguar dhe vendasit e menaxhuan më së miri avantazhin ndërsa në minutat shtesë gjetën edhe golin e dytë me Tedi Carën duke festuar kështu titullin e 17 në histori. Për t’u theksuar edhe fakti se trajneri Giovanni Colella bëhet i pari trajner italian që fiton titullin me Partizanin.
Nga ana tjetër, Tirana duhet të kënaqet me vendin e dytë edhe pse bardheblutë fituan në ndeshjen e fundit të sezonit me rezultatin 2-1 ndaj Erzenit në Durrës. Kryeqytetasit kaluan të parët në avantazh me anë të Rimal Haxhiut në minutën e 36-të, por vetëm tre minuta më pas Ilirid Ademi barazoi shifrat.
Rezultati në fund ndryshoi me Kristal Abazajn që shënoi të dytin, por goli shërbeu sa për statistikë teksa kjo humbje nuk i prishi punë shijakasve që shmangën rënien një kategori më poshtë, edhe pse nuk e kanë siguruar ende elitën pasi ju duhet të luajnë në Play-Out kundër Korabit.
Në ndeshjet e tjera, Vllaznia fitoi në Ballsh ndaj Bylisit vendas me rezultatin 1-2 duke siguruar kualifikimin në Evropë, ndërsa ballshiotët bien një kategori më poshtë duke mos mbijetuar në elitë. Laçi fitoi me shifrat 3-0 ndaj Kastriotit, por vendasit mbeten jashtë Evropës duke mos shkuar më shumë se vendi i pestë në klasifikim.
Një triumf me vlera edhe për Kukësin në Rrogozhinë ndaj Egnatias. Verilindorët fituan me shifrat 0-1 teksa autori i golit ishte Shqiprim Taipi i cili zhbllokoi ndeshjet në minutën e 55-të. Pas këtij rezultati, Kukësi e mbyll kampionatin në vendin e shtatë ndërsa Kastrioti e kishte vulosur rënien një kategori më poshtë.
/Telegrafi/