Shqipëria zgjat misionin e trupave në Letoni

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka njoftuar vendimin e Qeverisë për zgjatjen e misionit ushtarak të trupave shqiptare në Letoni deri më 31 dhjetor 2029. Sipas tij, ky vendim synon forcimin e kontributit të Shqipërisë në operacionet e NATO-s dhe konsolidimin e angazhimit në sigurinë kolektive.

Aktualisht, në Letoni është e dislokuar një togë e Forcave të Armatosura shqiptare, pjesëmarrja e së cilës do të vijojë edhe për katër vitet e ardhshme si pjesë e misioneve aleate në krahun lindor të NATO-s.

Ministri Nufi u shpreh se zgjatja e misionit shërben drejtpërdrejt për forcimin e operacioneve të përbashkëta të Aleancës dhe për rritjen e kontributit të Shqipërisë në sigurinë ndërkombëtare.

Sipas tij, prania e trupave shqiptare në Letoni mbetet një element i rëndësishëm i angazhimit të vendit në strukturat euroatlantike dhe në bashkëpunimin ushtarak shumëpalësh.

Njësimi i gradave ushtarake

Në të njëjtën mbledhje të Qeverisë është miratuar edhe vendimi për njësimin e gradave ushtarake, një proces që sipas ministrit synon të adresojë disa mospërputhje të krijuara ndër vite, përfshirë edhe ato që datojnë që prej vitit 2015.

Ky unifikim pritet të sjellë standardizim më të madh në strukturën e Forcave të Armatosura dhe në sistemin e karrierës ushtarake.

Një tjetër vendim i miratuar lidhet me financimin e projekteve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, të fokusuara në përmirësimin e kapaciteteve të qeverisjes vendore për përballimin e fatkeqësive natyrore.

Sipas ministrit, janë shpallur 44 projekte fituese, nga të cilat 26 janë infrastrukturore, ndërsa pjesa tjetër lidhet me blerjen e pajisjeve dhe mjeteve të emergjencës. Vlera totale e financimit arrin në 650 milionë lekë, ndërsa një pjesë e fondeve do të shtrihet edhe përgjatë vitit 2027.

Vendimet e fundit të Qeverisë në fushën e mbrojtjes synojnë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, forcimin e rolit të Shqipërisë në NATO dhe rritjen e kapaciteteve të brendshme për menaxhimin e emergjencave civile, në një kontekst ku sfidat e sigurisë dhe fatkeqësitë natyrore mbeten prioritare strategjike. /Albanianpost.com

Read Previous

Balliu: Kartelet shqiptare të drogës po fuqizohen nga pandëshkueshmëria

Read Next

Guti kritikon Real Madridin: Mungon fryma e ekipit dhe uniteti brenda skuadrës