Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu ndau të enjten objektivat e mbrojtjes në programin qeverisës 2025-2029.
Zyrtari i lartë u shpreh se mbrojtja përbën një kapitull të rëndësishëm në program, ku objektivi madhor është që Shqipëria të kthehet në “një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes”, duke ndërtuar kapacitete të reja, forcuar partneritetet brenda NATO-s dhe modernizuar forcat e saj të armatosura.
Sipas Vengut, në programin për mbrojtjen parashikohet rritje buxheti, vënia në funksion e industrisë ushtarake “Made in Albania”, zgjerimi i kapaciteteve detare, fuqizimi i mbrojtjes civile dhe infrastrukturës në funksion të NATO-s.
Prioritetet kryesor është rritja e buxhetit për mbrojtjen me të paktën 0.15 pikë përqindjeje mbi normën aktuale prej 2,01 për qind të PBB-së.
Sa i përket industrisë ushtarake, prioritet është “Made in Albania”, prodhimi vendas i municioneve, armatimit të lehtë, mjeteve të blinduara, sistemeve pa pilot dhe mjeteve për emergjencat civile.
Prioritet është edhe rritja e kapaciteteve detare. Kështu synohet zgjerimi i flotës me tre anije të reja dhe modernizimi i flotës ekzistuese.
Po ashtu, mbrojtja civile ka vendin e vet në program, ku parashikohen të kryhen investime në dy avionë zjarrfikës, flotë të përforcuar tokësore dhe ngritja e katër qendrave të reja rajonale të emergjencave civile.
Sa i përket zhvillimit të personelit ushtarak, do të ketë vijim të rritjes së pagës së ushtarakëve, duke arritur mesataren e NATO-s deri në vitin 2029 si dhe rritjen e numrit të Forcave të Armatosura.
Një tjetër prioritet është edhe infrastruktura kritike dhe mobiliteti ushtarak, ku parashikohet modernizimi i infrastrukturës dhe përfundimi i investimeve në Korridorin VIII për lëvizjen e Aleancës, me pikënisje në Porto-Romano.
Për projektet në zbatim deri në vitin 2029, parashikohet, përfundimi i kantierit të Spitalit të Traumës, ngritja e Shkollës së Aviacionit në Vlorë, ndërtimi i Kampusit të Ri të Akademisë së Forcave të Armatosura, krijimi i Kompleksit të Inovacionit Ushtarak në Bërzhitë dhe finalizimi i Poligonit Ndërkombëtar në Bizë. /Albanianpost.com