Shqipëria pritet të hapë tre ambasada të reja, nga Afrika në Azi

Shqipëria do të ketë së shpejti përfaqësitë e saj diplomatike edhe në Kenia, Indi e Indonezi. Hapja e tre ambasadave në këto tre shtete u miratua dje në Këshillin e Ministrave.

Përmes një reagimi në rrjete sociale ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani tha se “hapja e ambasadave u bë nisur nga objektivat strategjike afatmesme dhe afatgjata, të nxitur nga kërkesa e vazhdueshme, për të qenë edhe më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

“Kjo nismë u mor nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke vlerësuar kontributin dhe peshën specifike që çdo vend projekton në arenën ndërkombëtare dhe rolin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë. Turizmi dhe zgjerimi i hartës së lëvizjeve të shtetasve shqiptarë për qëllime turistike, është një tjetër argument, mbi të cilin MEPJ u mbështet për propozimin e hapjes së 3 përfaqësive të reja”, shkruan Hasani, duke nënvizuar se me hapjen e tre ambasadave “forcon kështu pasaportën shqiptare në botë”.

Pas vendimit të sotëm, numri i përfaqësive shqiptare në botë shkon në 60, ndër të cilat 44 ambasada, 9 konsullata të përgjithshme dhe 9 misione të përhershme. /Telegrafi/

Read Previous

Biden, thirrje për miratim të shpejtë të ndihmës për Ukrainën dhe Izraelin

Read Next

Çfarë duhet të ndodhë që Anglia të marrë vendin e pestë në Ligën e Kampionëve?