Hyrja në fuqi e Mekanizmit të Rregullimit të Karbonit në Kufi (CBAM) nga 1 janari 2026 ka filluar të prodhojë efektet e para në tregjet e energjisë elektrike në rajon, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe Shqipërinë si pjesë e Komunitetit të Energjisë.
Sipas raportit tremujor për periudhën janar-mars 2026, një nga zhvillimet më të dukshme është ndryshimi i dinamikave të çmimeve dhe tregtisë së energjisë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Diferencat e çmimeve janë rritur ndjeshëm, duke arritur nivele 2 deri në 3 herë më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërkohë që lidhja tradicionale mes tregjeve është dobësuar.
Në këtë kontekst, Shqipëria paraqitet si një nga përfituesit kryesorë të këtyre zhvillimeve. Sistemi energjetik i vendit, i dominuar nga prodhimi hidro, ka rezultuar me faktor zero emetimesh në kuadër të CBAM-së, duke e bërë energjinë shqiptare më konkurruese në tregjet rajonale dhe evropiane.
Gjatë tremujorit të parë të vitit, prodhimi hidro në Shqipëri u rrit me rreth 70 për qind, duke arritur në 3.27 TWh nga 1.93 TWh një vit më parë.
Kjo tepricë prodhimi u reflektua në rritjen e ndjeshme të eksporteve të energjisë në të gjitha kufijtë, veçanërisht drejt Greqisë, Kosovës dhe Malit të Zi, duke e kthyer Shqipërinë në një eksportuese neto të energjisë në rajon.
Ndryshe nga vendet me prodhim të bazuar në qymyr, të cilat përballen me kosto shtesë nga CBAM, Shqipëria nuk i nënshtrohet këtyre tarifave për shkak të profilit të saj të pastër energjetik.
Kjo ka krijuar një avantazh të qartë konkurrues, duke nxitur edhe rritjen e flukseve tregtare në korridore që shmangin ndikimin e mekanizmit të karbonit.
Megjithatë, raporti evidenton edhe ndryshime më të thella në strukturën e tregut. Tregtia ndërkufitare mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së ka rënë me rreth 25 për qind, ndërsa janë rritur shkëmbimet brenda rajonit dhe përgjatë rrugëve që nuk preken nga CBAM-ja.
Kjo tregon një rikonfigurim të rrjedhave tregtare, të nxitur nga kostot e reja dhe pasiguria rregullatore.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me diferencën në rritje mes flukseve tregtare dhe atyre fizike të energjisë.
Në disa raste, energjia vijon të qarkullojë sipas karakteristikave fizike të rrjetit, edhe kur nuk është planifikuar komercialisht, duke krijuar sfida për operatorët e sistemeve dhe rrezik për stabilitetin e rrjetit.
Në tërësi, të dhënat e tremujorit të parë sugjerojnë se CBAM-ja ka filluar të ndikojë në mënyrë strukturore në tregjet e energjisë në Evropën Juglindore, duke krijuar diferenca të reja konkurruese mes vendeve dhe duke sfiduar integrimin e tregut rajonal me atë të BE-së. /Albanianpost.com