Shkatërrohet grupi shqiptar që trafikonte drogë nga Gjermania në Itali

13 persona, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, u vunë në pranga në një operacion të përbashkët të policisë shqiptare, italiane dhe asaj gjermane. 3 prej të arrestuarve të operacionit të koduar ‘Sammogia’ u ndaluan në Vlorë.

Bëhet fjalë për 52-vjeçarin Landi Kalemaj si dhe Floriant e Ledjon Muhon, 38 dhe 33 vjeç. Për të tre këta persona, Gjykata e Bolonjës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Interpol Tirana dhe homologët në Itali janë duke punuar për kryerjen e ekstradimit të tyre në vendin fqinj. Mediat italiane që kanë publikuar edhe pamje të operacionit shkruajnë se përveç 13 të arrestuarve, janë edhe 9 të tjerë nën hetim.

Nga kontrollet u sekuestrua 26.5 kg kokainë dhe 11 kg marijuanë. Grupi akuzohet se trafikonte lëndën narkotike nga Gjermania drejt Italisë me korrierë të posaçëm të cilët u mbajtën nën vëzhgim.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Operacioni, i iniciuar nga Policia italiane, u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani.

Finalizimi i tij, rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Departamentit të Policisë Kriminale/Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Zyrës së Interforcës Italiane në Shqipëri.

Pjesëtarë të një organizate kriminale në Itali, për trafikim narkotikësh, lokalizohen në Vlorë, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas.

Gjatë operacionit ndërkombëtar “Sammogia”, në total, në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u arrestuan 13 shtetas.

Si rezultat i partneritetit shumë të mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese italiane, të konkretizuar me shkëmbim intensiv informacionesh dhe operacione të njëpasnjëshme të përbashkëta, me objektiv kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, Departamenti i Policisë Kriminale/Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, finalizuan operacionin ndërkombëtar të koduar “Sammogia”.

Gjatë këtij operacioni të zhvilluar paralelisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u lokalizuan në Vlorë, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit L. K., 52 vjeç, F. M., 38 vjeç dhe L. M., 33 vjeç.

Për të tre këta shtetas, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Interpol Tirana dhe homologët në Itali vijojnë bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali. /tvklan.al

Read Previous

Tuchel: Arsenali është aktualisht skuadra më e fortë në Ligën Premier

Read Next

Pothuajse gjysma e krimeve në Gjermani kryhen nga të huajt, nis debati për kufizimin e migracionit