Shefi i stafit të Vjosa Osmani s’i ndalë sulmet në Twitter ndaj mediave

Shefi i kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani, Blerim Vela, i ka vazhduar sulmet ndaj mediave, duke i quajtur “ media të klanit Pronto”.

Vela në një reagim të dytë në Twitter, ka thënë se mediat  po keqinformojnë dhe se i përkasin “regjimit të klanit Pronto”.

“Kur mediet keqinformojne me qellim, duhet te ekspozohen. Raporti i Parlamentit Evropian ka identifikuar disa medie te ish-regjimit Pronto si burime keqinformimi. Fatkeqesisht, ne vend se te permiresohen ne kuader te etikes gazetareske, keto medie po vazhdojne te keqinformojne”, ka shkruar në postimin e radhës shefi i kabinetit të Vjosa Osmanit.

Ky postim i tij vjen përkundër reagimeve të shumta ndaj deklaratës së tij të parë, ku ai reagoi rreth raportimeve se presidentja Vjosa Osmani, i ka thirrur partitë në takimin e së hënës për t’i shtyrë zgjedhjet.

Edhe në këtë postim, Vela i ka quajtur mediat që raportuan për këtë takim si media të “ish regjimit Pronto”.

Ndaj deklaratave të Velës, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Sipas AGK se shefi i stafit të Presidentes Osmani po përhapë urrejtje dhe sulme ndaj gazetarëve.

AGK e ka ftuar Presidenten Osmani që të distancohet dhe të përkujdeset që sulme të tilla të mos përsëriten nga zyra e saj.

 Qasjen e shefit të stafit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela ndaj mediave, e ka kritikuar edhe Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se fushata e Velës ndaj mediave mund të nxisë dhunë ndaj gazetarëve.

“Me luftën personale speciale kundër mediave, Blerim Vela do t’i shkaktojë dëm të pariparueshëm presidentes Vjosa Osmanit, institucioni i së cilës është shembull i transparencës. Fushata e tij e pandalshme për të denigruar mediat dhe gazetarët -platformat e të cilëve i shfrytëzonte kur i duheshin- është e rrezikshme dhe mund të nxisë sulme fizike ndaj gazetarëve”, ka shkruar Kusari.

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik  gjatë ditës së sotme i ka dërguar një letër presidentes Osmani në të cilën pa një analizë të detajuar, i kërkoi t’i shtynte zgjedhjet. /Reporteri.net

Read Previous

Arkeologët zbulojnë statujën e rrallë të perandorit romak Hadrian

Read Next

Në kazermat e FSK-së, flamujt në gjysmë shtizë në nderë të viktimave të 11 shtatorit