Shefi i BE-së në Beograd: Propozimi evropian, një mundësi historike

Shefi i delegacionit të BE-së në Beograd, Emanuele Giaufret ka folur për dialogun Kosovë-Serbi dhe propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Giaufret ka thënë se propozimi evropian është një mundësi historike.

Në një intervistë për “Kurir” ai ka thënë se është “lajm i shkëlqyer që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë pajtuar për Planin e BE-së”.

“Propozimi i BE-së është një mundësi historike. Prandaj është lajm i mirë që presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti ranë dakord se nuk ka nevojë për diskutim të mëtejshëm për propozimin e BE-së. Megjithatë, suksesi vjen me zbatimin aktual të marrëveshjes. Përfaqësuesi i lartë i BE-së pas takimit tha se të gjitha marrëveshjet e deritashme nga dialogu mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme, dhe kjo natyrisht përfshin edhe themelimin e AKS-së dhe ne do të vazhdojmë të insistojmë në këtë çështje urgjente”, ka thënë Giaufret.

Giaufret ka shtuar se është e nevojshme të shihen anët pozitive të kësaj marrëveshjeje të re.

Ai ka bërë të ditur se marrëveshja mund të sjellë mundësi të reja ekonomike përmes rritjes së ndihmës financiare, bashkëpunimit të biznesit dhe investimeve të reja në Kosovë dhe Serbi.

“Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak do të vazhdojë përpjekjet e tij diplomatike në mars në Beograd dhe Prishtinë në përgatitje për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë. Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për të zbatuar të gjitha marrëveshjet”, u shpreh Giaufret.

/Telegrafi/

Read Previous

Osmani për 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Kosova është e pavarur dhe ashtu do të jetë gjithmonë

Read Next

Liverpool – Man Utd: Statistika, analizë, formacionet e mundshme dhe parashikim i derbit anglez