SHBA-ja dëshiron që Irani të deklarojë publikisht se Ngushtica e Hormuzit është e hapur për lundrim dhe të zotohet se do të ndalojë sulmet ndaj anijeve tregtare, si pjesë e negociatave që pritet të zhvillohen të shtunën në Oman.
Mediat amerikane, duke cituar zyrtarë anonimë, raportuan se Teherani u ka pranuar privatisht këshilltarëve të presidentit amerikan Donald Trump se sulmet ndaj anijeve ishin një gabim, por sipas tyre, autoritetet iraniane ia kanë atribuar përgjegjësinë një grupi të pakontrolluar brenda vendit, raporton BBC.
Trump ka deklaruar se të dyja palët kanë rënë dakord të vazhdojnë bisedimet, pavarësisht përplasjeve të kësaj jave në Ngushticën e Hormuzit, të cilat Shtëpia e Bardhë i konsideroi shkelje të armëpushimit.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha se vendi i tij “e ka mbajtur fjalën” për armëpushimin, duke shkruar në rrjetin X se ishte SHBA-ja ajo që e kishte shkelur marrëveshjen.
Në qershor, SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një marrëveshje armëpushimi, sipas së cilës Irani, ndër të tjera, do të garantonte kalimin e sigurt të anijeve tregtare.
Sipas zyrtarëve të lartë amerikanë, të cituar nga CBS News, Teherani ka deklaruar se një fraksion “i papërgjegjshëm” i linjës së ashpër po përpiqet të minojë negociatat duke qëlluar ndaj anijeve tregtare. /RTKLive