Messi dhuron 80 mijë euro për të prekurit nga zjarret në Madrid
Ushtria amerikane ka shteruar pothuajse 80% të raketave interceptuese të një prej sistemeve të saj kryesore të mbrojtjes raketore, ndërsa komandantë të lartë ushtarakë amerikanë po paralajmërojnë se rezervat e municioneve të Pentagonit kanë rënë në nivele “jashtëzakonisht të rrezikshme”, sipas disa burimeve të njohura me situatën, ka shkruar CNN.
Sipas dy burimeve të njohura, ushtria amerikane ka përdorur pothuajse katër të pestat e rezervës së raketave THAAD krahasuar me nivelin që kishte para luftës, si dhe rreth gjysmën e raketave interceptuese Patriot, që nga fillimi i konfliktit.
Fakti që rezervat e THAAD kanë rënë në këtë nivel nuk ishte raportuar më parë.
Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) vlerëson se Shtetet e Bashkuara kishin rreth 2.200 raketa Patriot (nga dy variantet më të modernizuara të këtij sistemi) dhe 452 raketa THAAD në rezervë, përpara se të niste lufta me Iranin.
Edhe aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik kanë shprehur shqetësime të reja se mungesa e sistemeve të mbrojtjes ajrore mund të ndikojë në aftësinë e tyre për t’iu kundërvënë një hakmarrjeje të mundshme iraniane, nëse presidenti Donald Trump vendos ta përshkallëzojë konfliktin në vazhdim.
Disa prej këtyre vendeve mbështeten te sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore dhe kanë pranuar se mungesa e rezervave mund të dobësojë aftësinë e tyre për të penguar raketat dhe dronët iranianë që mund të lëshohen drejt tyre, veçanërisht nëse bëhen objektiv si përgjigje ndaj një përshkallëzimi nga ana e Shteteve të Bashkuara, kanë thënë disa zyrtarë.
Çështja e rezervave të municioneve është ngritur sërish para vendimit të presidentit fundjavën e kaluar për të anuluar sulme të reja ndaj Iranit. Vendimi shënon të paktën herën e dytë gjatë javëve të fundit që këshilltarët e lartë ushtarakë të Trumpit kanë shprehur shqetësime konkrete për pakësimin e municioneve kryesore amerikane gjatë diskutimeve mbi mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
Sipas një burimi të njohur me raportet e fundit të brendshme të Pentagonit, ushtria amerikane ka përdorur gjithashtu “praktikisht të gjitha” armët e saj tokë-ajër me rreze të gjatë veprimi dhe me precizion të lartë gjatë këtij konflikti.
Agjencia Reuters ishte e para që ka raportuar mbi shqetësimet specifike lidhur me rezervat amerikane të raketave precize me rreze të gjatë.
Paralajmërimet e fundit mbi mungesën e municioneve, së bashku me informacione të tjera të inteligjencës të paraqitura për Trumpin lidhur me pasojat e mundshme negative të goditjes së infrastrukturës kritike të Iranit, përfshirë objektivat e lidhura me energjinë, si dhe shqetësimet e shprehura nga vendet e Gjirit, kanë qenë mjaft bindëse për të ndikuar te disa nga këshilltarët më të ashpër të Trumpit se kishte arsye për të anuluar operacionet e planifikuara gjatë fundjavës, kanë thënë burimet.
Të premten, Trumpi po planifikonte të vazhdonte me goditje masive dhe sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte marrë urdhrin përfundimtar për të vepruar, sipas një zyrtari të lartë të administratës së Trumpit.
Megjithatë, Trumpi ka vendosur të tërhiqej pasi kishte biseduar të shtunën me aleatët në Lindjen e Mesme, të cilët i kanë shprehur frikën nga hakmarrja iraniane, konkretisht nga sulmet hakmarrëse ndaj infrastrukturës së tyre energjetike, sipas zyrtarit. Trumpi sipas tij, ka pranuar t’i dëgjonte ata, si dhe palën iraniane. Më pas, ai i ka kërkuar Hegsethit të mos vepronte për momentin, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e kryerjes së goditjeve të planifikuara në një datë të mëvonshme.
“Ushtria amerikane është më e fuqishmja në botë dhe zotëron gjithçka që i nevojitet për të vepruar në kohën dhe vendin që zgjedh presidenti”, ka thënë zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, në një deklaratë për CNN.
“Ne kemi kryer operacione të shumta të suksesshme nën komandat luftarake, duke siguruar njëkohësisht se ushtria amerikane disponon një arsenal të gjerë aftësish për të mbrojtur njerëzit dhe interesat tona”, ka shtuar ai.